DURRËS- Janë zbardhur detaje të reja nga masakra e ndodhur 24 orë më parë në një lokal në Manzë të Durrësit, ku dy persona të rinj, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti, mbetën të vrarë.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, të dy viktimat kanë gjetur vdekjen si pasojë e goditjes me armë zjarri. Si Aranit Kurti dhe Flori Paluçi kanë një plagë në trup, me drejtim hyrje pas shpine.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se në vendngjarje janë përdorur dy armë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa vetëm njëra është arritur te gjendet në vendin e krimit Kjo armë është një pistoletë me mulli e prodhimit amerikan, dhe sipas pamjeve filmike është përdororur nga Flori Paluçi.
Ndërkohë në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar dy fishe të paplasur, ku njëri është gjetur jashtë lokalit dhe tjetri brenda. Fishekët i përkasin pistoletës me mulli, të përdorur nga Flori Paluçi.
Identifikimi i armëve është arritur të bëhet përmes një seri pamjeve filmike të sekuestruara nga policia e Durrësit, e cila ka arritur të ndërtojë dhe dinamikën e ndodhjes së ngjarjes dhe shpallë në kërkim Daniel Pepa, për akuzën e “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Duke u bazuar në pamjet filmike, policia thotë se Daniel Pepa dhe shoku i tij, Aranit Kurti, kanë shkuar në orët e mesnatës në lokal, ku pasi janë ulur në tavolinë pranë tyre është afruar kamarieri i lokalit.
Ata kanë porositur kafe, por kamerieri i është përgjigjur se nuk mund tu shërbente pasi kishin pastruar dhe fikur ekspresin. Por Daniel Pepa, ka këmbëngulur se dëshironte kafe duke filluar të shajë dhe ofendojë kamarierin.
Në këto moment ka ndërhyrë një tjetër klient që ndodhej në lokal, i quajtur Flori Paluçi. Ky i fundit i ka kërkuar Daniel Pepës që të mos e shante kamarierin pasi ishte me të në tavolinë.
“…mos e shaj se është me mua në tavolinë…”-i është drejtuar Flori Paluç, Daniel Pepës. Po ky i fundit i është drejtuar me fjalët “…çfarë ke ti, kamarier je ti apo pronari…”.
Të dyja palët janë përfshirë në konflikt verbal duke lëshuar sharje të ndërsjella dhe më pas kanë filluar të shtyhen me duar.
Sipas pamjeve filmike të sekuestruara nga policia, shihet se Daniel Pepa së bashku me Aranit Kurtin është larguar nga ambjentet e lokalit, por pas disa minuta ai kthehet sërish aty ku këtë herë kishte marrë një armë zjarri pistoletë me vete.
Me vete Daniel Pepa, ka marrë dhe 4 shokët e tij, Ergi Kadiu, Erald Cani, Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja, të cilët që prej mbrëmjes së djeshme janë arrestuar nga Policia e Durrësit, për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
Ndërkohë gjatë kësaj kohe pamjet filmike të fiksuara nga kamerat e instaluara në ambientet e brendshme të lokalit, kanë fiksuar dhe veprimet e Flori Paluçit.
Ai duket në filmime që disponon një armë pistoletë me mulli, dhe sipas pamjeve është duke e mbushur me shpejtësi. Një nga plumbat bie në tokë dhe është gjetur i paplasur nga ana e specialistëve të policisë kriminale të Durrësit.
Ndërkohë i njëjti kalibër plumbi është gjetur dhe jashtë ambienteve të lokalit, duke çuar në plumba të paplasur që janë sekuestruar dhe çuar për ekspertizë balistike në laboratorin e Policisë Shkencore.
Gjithmonë duke ju referuar pamjeve filmike, policia thotë se i pari që ka qëllua është Flori Paluçi, i cili ka qëlluar njëherë në tokë. Më pas ka drejtuar armën drejt Daniel Pepës dhe ka hapur zjarr ndaj tij, por pa mundur të vrasë.
Miku i Danielit, Aranit Kurti, që ndodhej shumë pranë Florian Paluçit, ka qëlluar me grusht në fytyrë Florian Paluçin, dhe vrapon të largohet prej tij.
Por Paluçi qëllon një herë me pistoletë drejt Aranit Kurtit, ku plumbi i ka depërtuar trupin pas shpine dhe i ka prekur zemrën, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Mes kësaj vorbulle të shtënash, Daniel Pepa, ka hapur zjarr vetëm 1 herë dhe ka qëlluar pas shpine Flori Paluçin, i cili pasi ka kryer disa lëvizje të pavetëdijshme është rrëzuar dhe ka gjetur vdekjen.
Pas këtyre veprimeve Daniel Pepa, së bashku me Ergi Kadiu, Erald Cani, Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja janë larguar nga vendi i ngjarjes, për tu kthyer pas disa minutash sërish në vendngjarje.
Pepa më tej është larguar përfundimisht duke mos arritur të kapet ende dhe sot nga Policia e Shtetit. Për largimin e tij nga vendi i ngjarjes, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë ngritur dyshime se mund ta kenë përkrahur 4 shokët e tij, të cilët tashmë janë arrestuar dhe proceduar për “Moskallëzim krimi”.