SHKODËR- Protesta e banorëve të Rrjollit vijon prej 37 ditësh në kantierin ku kompania “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt, po ndërton resortin “Blu Borgo”. Në mbështetje të kauzës së tyre janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ditën e sotme ata kanë shkuar pranë banorëve, teksa dëgjohen duke shprehur mbështetjen e tyre: "Bashkë për Rrjollin, mos u dorëzoni asnjëherë".
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë vendosur një perimetër sigurie për të mos lejuar banorët protestues të hyjnë në kantier. Nga ana tjetër, banorët dhe aktivistët akuzojnë policinë, pasi sipas tyre, ata po mbështesin punimet në tokat e tyre.
Banorët kanë protestuar edhe para Kuvendi dhe Prokurorisë së Posaçme. Ata protestojnë kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Banorët shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006.
Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI