TIRANË- Operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (Rinas) do të vijojnë normalisht, sipas orareve të caktuara, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Situata e paqëndrueshme meteorologjike mund të shkaktojë në disa raste shmangie ose vonesa gjatë uljes, por aktualisht situata nuk paraqitet problematike në Rinas.
Në njoftimin për shtyp të aeroportit, të ndarë edhe nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, bëhet me dije se, shërbimet e Lundrimit Ajror janë plotësisht të angazhuara për të menaxhuar çdo situatë të pazakontë.
"Operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht gjatë ditës deri në këto momente. Situata meteorologjike mbetet e paqëndrueshme, duke shkaktuar në disa raste shmangie ose vonesa gjatë uljes. Shërbimet e Lundrimit Ajror janë plotësisht të angazhuara për të menaxhuar çdo situatë të pazakontë që mund të krijohet si pasojë e përkeqësimit të mundshëm të kushteve meteorologjike gjatë orëve në vijim", thuhet në njoftimin për shtyp.
Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë vijuar edhe përgjatë mbrëmjes së djeshme në territorin e vendit, duke shkaktuar kaos me udhëtimet. Konkretisht, u devijuan 5 fluturime që ishin nisur nga Bologna, Milano, Torino, Bari, Keln drejt Tiranës./ZËRI