TIRANË-Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Paraprakisht burime bëjnë me dije se Muhamet Rrumbullaku po merret në pyetje nga prokurorja Doloreza Musabelli në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për transferimin e një Oficeri të policisë gjyqësore (OPGJ) të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Berat. Transferimi i oficerit çoi në pezullimin nga detyra të ish-drejtorit të AMP-së, Florjan Sulejmani.
Fillimisht çështja u hetua nga prokuroria e Beratit, e cila pezulloi nga detyra për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kreun e AMP pas transferimit të një oficeri të Policisë Gjyqësore. Më pas çështja i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, e cila kërkoi pushimin e hetimit ndaj kreut të AMP-së asakohe, Sulejmanit. Gjykata e Tiranës ktheu në detyre Sulejmanin. Tashmë çështja po hetohet nga SPAK si organ kompetent.
Transferimi i punonjësve të AMP-së është kompetencë e drejtpërdrejtë e titullarit të institucionit, në këtë rast vetë Drejtorit të Përgjithshëm të AMP-së. Ai përgjigjet vetëm përpara Ministrit të Brendshëm dhe, në raste të veçanta që lidhen me nevojat e institucionit, mund të kryejë transferime edhe pa miratimin e Komisionit të OPGJ-ve.
Një orë pas marrjes në pyetje ai tha për mediat se: 'Kur të thërret drejtësia duhet me u paraqit'.
Rrumbullaku u largua nga drejtimi i policisë së shtetit më 5 shtator 2024, ndërsa lëvizja e tij u justifikua me ndryshimet ligjore, të cilat kërkonin që drejtuesi i ri të zgjidhej me konkurs. Ai mori detyrën më 7 shator 2022 dhe drejtoi Policinë e Shtetit për dy vite./ZËRI


