Aktualitet

"Na morën zvarrë"! Banorët e Rrjollit, nga protesta përfundojnë të fashuar në barelat e ambulancës: Qëlluan me gurë

Pamjet nga vendngjarja tregojnë protestuesit e plagosur, ku shihen të shtrirë në barelë dhe në gjendje të rënduar, duke rënkuar nga dhimbjet.

F.I
"Na morën zvarrë"!  Banorët e Rrjollit, nga protesta
pamje nga banori i lënduar

VELIPOJË-Në rreth një muaj protestë kundër ndërtimit të resortit të Bshkim Ulajt në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër, banorët vijojnë protestat duke tentuar të bllokojnë punimet e kompanisë “Gener 2”. Herë pas here, banorët janë përplasur me efektivët e policisë në zonë, ku ditën e sotme pati edhe të lënduar. Pamjet nga vendngjarja tregojnë protestuesit e plagosur, ku shihen të shtrirë në barelë dhe në gjendje të rënduar, duke rënkuar nga dhimbjet.

“Shkojmë tek tokat tona , s’na lënë. Na marrim si të jemi në Kabul. Policia është 100% me palën tjetër. Të na dalë zot shteti se asgjë nuk na ka ngel më keq do të bëhet. Sa dolëm policia duke na sharë e ofenduar. Më kapi dikush më gjuajti e më hodhi në gurë. Jam vrarë në shpinë e kraharor”, tha banori tjetër i dëmtuar.

Banori tjetër deklaron nga spitali se nuk do të tërhiqen dhe kërkojnë drejtësi, duke kundërshtuar ndërtimin e resortit.

“Si çdo ditë po shkojmë te toka e të parëve tonë. Ka qenë policia gardh. Djalin dje e kanë goditur me grushte. Nuk kthehemi pas në asnjë send. Na ka qëlluar me gurë na kanë vendosur për fund në mënyrë makabre. Do të vazhdojmë pa ndalim derisa të dali e drejta. Nuk kemi kundërshtim me shtetin, dua të bllokohen punimet. Jam dëmtuar në këmbë dhe qafë. Më kanë tërhequr zvarrë”, tha banori tjetër.

Banorët kanë protestuar edhe para Kuvendi dhe Prokurorisë së Posaçme. Familjarët protestojmë kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Ata shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006.

Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI

Poll

MOS HUMB