Aktualitet

"Streha e sigurt bëhet portë dorëzimi"! Ekstradimet Dubai–Shqipëri

Të ndodhur në Emiratet e Bashkuara Arabe, mes rrokaqiejve dhe rezidencave luksoze të Dubait shumë prej personave të njohur të botës së krimit apo të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, qëndronin të 'fshehur' pas mungesës së një marrëveshje ekstradimi me asnjë vend të botës.

F.I
"Streha e sigurt bëhet portë dorëzimi"! Ekstradimet
të ekstraduarit

TIRANË-Dubai, streha e sigurt për ata që kërkojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, por edhe për ata që duhej të ishin tashmë pas hekurave, sot duket se është kthyer në një 'portë dorëzimi'. Të ndodhur në Emiratet e Bashkuara Arabe, mes rrokaqiejve dhe rezidencave luksoze të Dubait shumë prej personave të njohur të botës së krimit apo të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, qëndronin të 'fshehur' pas mungesës së një marrëveshje ekstradimi me asnjë vend të botës.

Por miti i Dubait ra në 14 gusht të vitit 2024 me rikthimn në atdhe të Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt. Dyshja në momentin e ekstradimit ishin të veshur me bluza të shkurtra, pantallona dhe shapka, veshje që i ishte përshtatur motit të nxehtë në Dubai. 

Të dy akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vdekur shoferi i këtij të fundit, Andi Maloku. Plarent Dervishaj, akuzohet gjithashtu për vrasjet e bujshme të vitit 2005. Dervishaj është kunati i një tjetër eksponenti të botës së krimit, Lulzim Berishës, ndërsa Meçaj është mik i ngushtë i këtij të fundit, të dy personazhe kryesorë të Bandës së Durrësit.

Plarent Dervishaj u arrestua bashkë me Meçen në Dubai pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit e akuzoi për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut. Por më pas, SPAK ia hoqi akuzat, duke pretenduar se porosinë e kishte bërë një shtetas nga Maqedonia e Veriut. Dervishaj është edhe kunati i Lulzim Berishës, për të cilin po ashtu sot është vendosur ekstradimi në Shqipëri. Prej kohësh, Lul Berisha fshihej në Alicante. 

Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Dyshja tashmë ndodhen në Shqipëri, duke u përballur me seancat në Gjykatën e Posaçme, ku po gjykohen lidhur me ngjarjet e bujshme ndër vite, si trafiku i drogës në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, vendosje e tritolit në hotelin në rrugën e “Dibrës” në maj të 2020 dhe atentate.

Ekstradimi i tyre duket se hapi rrugën e rikthimit në Shqipëri. 

Në 2 maj të vitit 2025, në aeroportin e Rinasit zbret një tjetër i shumëkërkuar i drejtësisë. Florenc Çapja u shoqërua nga forca të shumta sigurie nga Dubai drejt Tiranës. Ai akuzohet si porositës për vrasjen e atë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Lidhur me këtë ngjarje është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja. Pas rikthimit në atdhe, ai ka pretenduar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej. Për Florenc Çapjan dhe xhaxhain e tij, Ardian Çapjan, Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin me burg përjetë. Çapja pritet t'i bashkohet edhe gjyqit të dosjes "Plumbi i artë" që është kthyer në një "serial" në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Një muaj më pas më 11 qershor 2025, mbërrin nga Dubai në Shqipëri, vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa. Dashnor Dumani dhe Stafa u sollën në Shqipëri me rrobat e trupit, të veshur me shapka dhe tuta të shkurtra. Ata strehoheshin në Dubai, duke shfrytëzuar mungesën e një marrëveshje ekstradimi me vendin tonë. Dumani akuzohet për vrasje dhe vjedhje, ndërsa Stafa akuzohet se ka pastruar paratë e grupit Çopja në Elbasan. Për të 'ligjëruar' paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja përdorte një mjet të shitblerjes së automjeteve. Stafa u arrestua në Dubai në 27 maj. 

Dashnor Dumani pas ekstradimit u la në burg. Ai dyshohet nga SPAK për përfshirje në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona, Endrit Alibej, daja i tij Arben Dylgjeri, dhe Erdal Durunay, një shtetas turk që i shoqëronte. Po ashtu, dyshohet se ka marrë pjesë edhe në grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. Masa ndryshoi për Armis Stafën, i cili nga “arrest në burg” është lënë në “arrest shtëpie”.

Nëntë ditë më vonë, më 20 qershor 2025, sillen nga Dubai në Shqipëri tre bashkëpunëtorë të Talo Çelës, i cili ndodhet në arrati prej disa vitesh. Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi u sollën në Tiranë nën forca të shumta sigurie me pranga në duar. 

Konkretisht Daka është një prej personave që ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë Talo Çelës si dhe ka luajtur rolin e vëzhguesit dhe informatorit në vrasjen e Kei Pikut. 38-vjeçari gjithashtu ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Arjan Spahiut.

Ndërsa Maksim Koçi akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Klevis Kapllanit si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e dy personave të tjerë. Ado Xhika akuzohet se ka ndihmuar personat që kryen atentatin e fundit me snajper kundrejt Ardian Çapjas. Ai gjithashtu ka shoqëruar një gazetar me qëllim intervistimin e Talo Çelës. 

Në korrik të vitit 2025, Denis Bajroviç (Bajri) do të bëhej personi i radhës që u ekstradua nga Dubai! Bajri ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza” pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit. Ndaj tij rëndojnë 5 akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës. Denis Bajri u arrestua në Emiratet e Bashkuara më 27 shkurt 2024. Në momentin e ndalimit nga efektivët, 37-vjeçari u prezantua me mbiemrin e dytë, Denis Brajoviç. Emri i tij doli në dritë nga përgjimet e zbardhura të aplikacionit "SkyECC", si pjesë e grupit Bajri në Shkodër.Në mesazhet e shkëmbyera mes tyre, kuptohet se autorët e kanë kryer vrasjen për "llogari" të biznesmenit tashmë të zhdukur, Ervis Martinaj. Si shkëmbim, Martinaj do të hiqte qafe Kleant Musabelliun, por fatmirësisht kjo e fundit nuk arriti që të realizohej kurrë.

Në 8 tetor të vitit 2025 edhe reperi dhe TikToker-i i njohur Kleviol Ahmeti i njohur me pseudonimin “Cllevio” u ekstradua nga Dubai në Shqipëri. 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet në Tiranë dhe Fier për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë. Në 2024, Gjykata e Apelit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, nën akuzë për përndjekje të Rigels Rajkut (Noizy) dhe familjes së tij. Po në të njëjtin vit është dënuar me 9 muaj burg për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Një javë më vonë më 14 tetor 2025, Dritan alias Amar Shkëmbi, që dikur ishte pjesë e rrethit shoqëror të ngushtë me Plarent Dervishajn u ekstradua nga Dubai. Shkëmbi, u shpall në kërkim nga prokuroria e posaçme për akuzën e “Vrasjes së funksjonarëve publikë” të mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe “të fortit” të Shijakut, Aleksandër Lahos alias “Rrumit”.

Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj Amar Shkëmbit, ai së bashku me Plarent Dervishajn, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, kanë vepruar në vitin 2019 në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpujnimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Edhe rasti më i nxehtë precedent Bami përfundoi me ekstradim! Durim Bami, i njohur ndryshe si i 'forti' i Niklës u rikthye në atdhe mbëmjen e djeshme 26 shkurt. Bami mbërriti në Rinas pas ekstradimit nga Dubai, i shoqëruar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe nga Policia e Burgjeve. 

Bami u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024, teksa ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revanshi. 

Aktualisht çështja penale ndaj Durim Bamit është përfunduar dhe dërguar në gjyq nga SPAK. Ndërsa akuzat zyrtare kundër tij janë të rënda si ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Mesa duket ngjarjet e viteve të fundit kanë bërë që edhe pse në mungesë të një marrëveshjeje, Emiratet e Bashkuara Arabe t’i dorëzojnë personat mbi të cilët rëndojnë akuza të rënda kriminale, në duart e shteteve që i kërkojnë për tu dhënë dënimin e merituar./ZËRI

Poll

MOS HUMB