Aktualitet

“Ndal, Policia!”/ Urdhri që po sfidohet me armë, rastet që shënuan pranverën e 2026

Në çdo operacion, pas një thirrjeje për ndalim, efektivët nuk përballen vetëm me tentativat për arratisje, por shpesh edhe me armë zjarri, përplasje fizike apo manovra që rrezikojnë jetën e tyre.

F.I; F.G
“Ndal, Policia!”/ Urdhri që po sfidohet me armë, rastet
Arsen Toska, Novruz Cenalia, Barush Bregu dhe Zamir Skënderi

TIRANË-Më 5 maj, në Ditën e Dëshmorëve, Policia e Shtetit shpalli “Dëshmor i Atdheut” Novruz Cenalin, efektivin që humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në Fier. Një akt që riktheu në vëmendje rrezikun e përditshëm me të cilin përballen uniformat blu, aty ku një urdhër i thjeshtë si “Ndal, Policia!” mund të shndërrohet brenda sekondash në një përballje mes jetës dhe vdekjes.

Në çdo operacion, pas një thirrjeje për ndalim, efektivët nuk përballen vetëm me tentativat për arratisje, por shpesh edhe me armë zjarri, përplasje fizike apo manovra që rrezikojnë jetën e tyre. Frika nga izolimi dhe tentativa për t’i shpëtuar prangave kanë bërë që gjithnjë e më shpesh policët të kthehen në shënjestër. Vetëm ditët e fundit, disa ngjarje tregojnë se si aksionet për arrestimin e personave në kërkim po marrin skena që ngjajnë me filmat aksion.

Ngjarja më e fundit u regjistrua mbrëmjen e 18 majit në fshatin Kutalli, në Dimal. Një episod që dukej i paimagjinueshëm ndodhi brenda një furgoni policie. Gjatë transportimit nga Fieri drejt Komisariatit të Kuçovës, i arrestuari Zamir Skënderi arriti t’i marrë armën e shërbimit efektivit Arsen Toska dhe ta qëllojë atë brenda automjetit. Më pas tentoi të arratisej, por u neutralizua dhe u arrestua nga dy policët e tjerë që ndodheshin në mjet.

Ndërsa ende nuk kishin kaluar 24 orë nga kjo ngjarje, një tjetër episod me tension të lartë u regjistrua pasditen e 19 majit në aksin “Mamurras–Laç”. Gjatë operacionit për kapjen e Leonard Demës, i kërkuar për tentativë vrasjeje, situata doli jashtë kontrollit. Sipas Policisë, Dema tentoi të përplaste me automjet efektivët, duke rrezikuar jetën e tyre. Por skena nuk mbaroi aty. Amadeo Fufi, i cili ndodhej me të dhe rezulton djali i ish-deputetit të PD-së Mhill Fufi, dyshohet se nxori armën e zjarrit dhe ua drejtoi efektivëve. Në kushtet e vetëmbrojtjes, policia qëlloi me armë. Operacioni përfundoi me plagosjen e Leonard Demës dhe arrestimin e Amadeo Fufit.

Megjithatë, jo çdo përballje mbyllet me sukses.

Pasditen e 9 marsit, në lagjen “Kiras” në Shkodër, policia tentoi të ndalonte automjetin ku ndodhej Barush Bregu, i njohur si krahu i djathtë i familjes Lici. Shoferi, Ervis Baba, nuk iu bind urdhrit të policisë dhe tentoi të largohej. Gjatë ndjekjes, Bregu zbriti nga automjeti dhe, sipas Policisë, qëlloi me armë zjarri me qëllim kanosjen e efektivëve. Ndryshe nga rastet e tjera, ai arriti t’u shpëtonte forcave të rendit dhe vijon të jetë në kërkim.

Edhe në Dibër, më 4 mars, një operacion për arrestimin e një të kërkuari u kthye në një përplasje të dhunshme. Klodian Mazari, i njohur edhe me mbiemrin Llomi dhe i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh, kundërshtoi arrestimin gjatë ndërhyrjes së forcave “Shqiponja”. Gjatë përplasjes, efektivi Gentjan Meda u shty nga muri dhe pësoi dëmtime të rënda. Vetë i kërkuari u hodh më pas nga kati i dytë në përpjekje për t’u arratisur, por përfundoi i arrestuar.

Nga Novruz Cenali, i cili humbi jetën në krye të detyrës dhe u shpall Dëshmor i Atdheut, deri te efektivët që çdo ditë përballen me armë, ndjekje dhe rrezik të vazhdueshëm, një fakt mbetet i pandryshuar: pas urdhrit “Ndal, Policia!”, jo gjithmonë vjen bindja. Shpesh, ajo që pason është një përballje ku në rrezik nuk vihet vetëm liria e të kërkuarit, por edhe jeta e atyre që mbajnë uniformën e shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB