TIRANË- Gjykata e Tiranës caktoi 60 ditë burg për 2-vjeçarin Elez Hysa, njëri prej autorëve të dyshuar të grabitjes së argjendarisë në Kamëz, pak ditë më parë. Mësohet se para togave të zeza, i riu ka pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Madje, ai është shprehur se në momentin e ngjarjes ishte në banesën e tij në Malësinë e Krujës dhe se motori i tij nuk përputhet me mjetin e përdorur nga grabitësit.
“Banesa ime me vendin ku ka ndodhur ngjarja është 47 km larg pasi jetoj në Malësinë e Krujës. Motori im nuk ka përmasat e mjetit të përdorur nga autorët”, tha 22-vjeçari.
22-vjeçari, i akuzuar si një nga dy autorët e grabitjes së armatosur të argjendarisë javën e kaluar, u arrestua një ditë më parë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se i riu së bashku me një tjetër person hynë në një argjendari dhe grabitën bizhuteri në Kamëz.
Ngjarja ndodhi mesditën e të shtunës, 16 maj, në orën 13:00, ku dy persona të maskuar kanë hyrë me armë zjarri në ambjentet e argjendarisë dhe kanë marrë një sasi bizhuterish. Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër të ngjarjes./ZËRI