Aktualitet

Detaje nga aksidenti tragjik në Shkodër: "Benzi" po lëvizte me shpejtësi skëterrë, arrestohet shoferi

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Adnan Galica nuk ka dhënë ende dëshmi për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pas aksidentit

zh.ll
Detaje nga aksidenti tragjik në Shkodër: "Benzi" po
pamje nga vendngjarja

SHKODËR- Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në unazën perëndimore të Shkodrës, një ditë më parë, ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi. Gjithashtu, u plagosën Fatbardh Lishi, dy fëmijët e tij dhe drejtuesi i automjetit që dyshohet se shkaktoi përplasjen.

Policia e Shkodrës ka arrestuar shoferin Adnan Galica, i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi shumë të lartë me automjetin e tij tip “Benz” nga lagjja “Rus”, duke shkaktuar aksidentin tragjik.

Sipas dëshmive të qytetarëve, Galica po kryente parakalime të rrezikshme dhe kishte muzikën me volum maksimal gjatë momentit të përplasjes. Gjatë një tentative parakalimi, ai u përplas fillimisht me automjetin tip “Ford”, ku udhëtonte Fatbardh Lishi me dy fëmijët e tij. Më pas goditi 62-vjeçarin Shkëlqim Krasniqi, i cili po lëvizte me biçikletë. Pavarësisht përplasjes së fortë, Fatbardh Lishi dhe dy fëmijët e tij kanë shpëtuar me lëndime të lehta. Dy të miturit po marrin trajtim në repartin e pediatrisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Adnan Galica nuk ka dhënë ende dëshmi për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pas aksidentit. Testi i alkoolit ka rezultuar negativ, ndërsa pritet të i nënshtrohet analizave toksikologjike për të verifikuar nëse ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, grupi hetimor vijon veprimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e aksidentit tragjik.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme, 21 maj. Ishte pikërisht një tentativë e gabuar parakalimi ajo që përfundoi në një përplasje fillimisht me automjetin tip “Ford”, ku udhëtonte Fatbardh Lishi me dy fëmijët e tij, dhe më pas goditi 62-vjeçarin Shkëlqim Krasniqi, i cili po lëvizte me biçikletë. Ky i fundit ndërroi jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra./ZËRI

Poll

MOS HUMB