VLORË- Prej 5 ditësh vijojnë tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Jashtë kantierit qëndrojnë punëtorë, inxhinierë dhe kontraktorë që nuk lejohen të hyjnë, ndërsa brenda raportohet një situatë e rëndë, sipas pretendimeve të kompanisë “Mabco”.
Ditën e sotme, vetë pronari i kompanisë “Mabco”, Behgjet Pacolli, ka denoncuar një skandal që sipas tij po ndodh brenda kantierit të aeroportit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Pacolli pretendon se mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të ndërtimit, në kushte të vështira. Sipas denoncimit të tij, ata nuk lejohen të dalin normalisht dhe u është thënë se nëse largohen, nuk mund të kthehen më brenda.
Ai thekson se hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit, duke mos lejuar punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët të hyjnë në vendin e tyre të punës.
Postimi i plotë i Pacollit:
Inzhinjeret nderkombetarë në gjëndje paraburgimi në kampin e Mabcos!
Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë ndërtuar këtë aeroport, nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës. Hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit.
E megjithëkëtë, pjesa më e rëndë ndodh brenda territorit të aeroportit. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre dhe janë vënë përballë një situate absurde: të largohen pa të drejtë kthimi. Këta njerëz nuk kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajtuar si të dyshuar apo si të burgosur. Kanë ardhur për të punuar në një projekt strategjik.
Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve. Asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e njerëzve dhe bllokimin fizik të stafit teknik në një kantier strategjik.
I bëj thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate të turpshme, që po dëmton jo vetëm projektin, por edhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë.
Sipas kompanisë "Mabco" hyrja në kantier është bllokuar nga sigurimi i lidhur me VIA dhe "2A Group", ndërsa furnizimet janë ndërpret plotësisht.
Edhe sot, në ditën e pestë të protestës, nënkontraktorët e kompanisë kanë vijuar protestën përpara kantierit, duke kërkuar që të marrin mjetet dhe materialet e tyre të punës. Kjo është dita e pestë radhazi që nënkontraktorët qëndrojnë jashtë kantierit, duke kërkuar qartësi nga autoritetet për situatën. Për të ruajtur rendin, pranë kantierit vazhdojnë të jenë të pranishëm efektivë të policisë./ZËRI
