TIRANË- Homazhet për gazetarin dhe publicistin e njohur Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta më 23 gusht në Sarandë, do të mbahet ditën e nesërme, 25 gusht 2025. Homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura, duke ofruar mundësinë për miqtë, kolegët dhe qytetarët që ta nderojnë kujtimin e tij. Ndërsa ceremonia private do të mbahet më pas tek ‘Alba 2000’. Artur Zheji do të prehet në Tufinë, pranë të atit, gjuhëtarit të madh Petro Zheji.
Artur Zheji njihej si një nga figurat më të respektuara në gazetari dhe publicistikë, me një karrierë të gjatë dhe ndikim në mediat shqiptare. Gazetari Zheji, djali i gjuhëtarit e përkthyesit të njohur Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami, lindi më 29 gusht 1961 dhe u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai la pas bashkëshorten, dhe dy fëmijët, djalin 22-vjeçar dhe vajzën 19 vjeç.
Përgjatë karrierës së tij televizive, Zheji njihet kryesisht për drejtimin e programit analitik “360 Gradë” i shfaqur në ekran që prej vitit 2017. Ndër të tjera, gazetari ka mbajtur dhe poste drejtuese, përmendim këtu Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) si dhe ka qenë në krye të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Gazetari u nda nga jeta një ditë më parë pasi pësoi një arrest kardiak gjatë një dreke me familjen në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur në një restorant në rrugën “Butrinti”, ku Zheji po qëndronte me bashkëshorten dhe djalin e tij. Gjatë drekës ai ka shfaqur shenja shqetësimi dhe dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Menjëherë është transportuar me autoambulancë drejt urgjencës së spitalit rajonal “Petro Nako” të Sarandës, por fatkeqësisht mjekët nuk kanë mundur t’i japin ndihmën e nevojshme dhe ai ka mbërritur pa shenja jete./ZËRI

