Aktualitet

Ndërrojnë jetë njëri pas tjetrit dy oficerë policie të burgut 313, detajet e para (EMRAT)

Sipas njofitmit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, dy policët kanë humbur jetën brenda një intervali të shkurtër kohor, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

zh.ll
Ndërrojnë jetë njëri pas tjetrit dy oficerë policie
foto ilustruese

TIRANË- Dy oficerë policie kanë ndërruar jetë në burgun 313, njëri pas tjetrit. Mësohet se kanë ndërruar jetë, Zog Muhametaj dhe Pëllumb Vrana, ky i fundit teknik i kamerave të paraburgimit.

Sipas njofitmit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, dy policët kanë humbur jetën brenda një intervali të shkurtër kohor, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

Burgjet bëjnë me dije se Zog Muhametaj ka pësuar një gjendje të rëndë shëndetësore rreth orës 21:36 të mbrëmjes dhe pavarësisht ndërhyrjes nuk arriti të mbijetojë. Pak orë më vonë, konkretisht rreth orës 00:00, edhe Pëllumb Vrana pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar në QSUT, ku ka ndërruar jetë rreth orës 01:00. 

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se të dy punonjësit kanë qenë prej vitesh pjesë e sistemit penitenciar dhe janë vlerësuar për profesionalizëm dhe përkushtim në detyrë.

Njoftimi i plotë: 

Një ngjarje e rëndë ka prekur familjen e madhe të sistemit penitenciar shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës, dy punonjës të IEVP "Jordan Misja", Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave, me graden Kryeinspektor, humbën jetën si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

Rreth orës 21:36 të datës 29 qershor 2026, Zog Muhametaj, gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Kolegët e pranishëm dhe personeli shëndetësor i institucionit ndërhynë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar me urgjencë me ambulancën e IEVP-së drejt Spitalit Ushtarak. Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të ekipit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.

Pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor 2026, edhe Pëllumb Vrana, gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë iu dha ndihma e parë nga kolegët dhe infermierja e institucionit, ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt QSUT-së. Rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.

Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa prej vitit 2023 shërbente në IEVP "Jordan Misja".
Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë.
Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, dha një kontribut të vyer në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij në punë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderon me respekt kujtimin e dy kolegëve tanë dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer në përmbushjen e misionit të sistemit penitenciar shqiptar.
Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në ushtrimin e detyrës do të mbeten një shembull për institucionin dhe për të gjithë punonjësit e tij.

Poll

MOS HUMB