SARANDË- Drejtori i Drejtorisë Rajonale të IKMT-së në Vlorë, Elton Caslli, ka dhënë dorëheqjen pas takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme Besfort Lamallari në Sarandë. Mësohet se dorëheqja erdhi pas nisjes së procedurës për masa administrative nga IKMT qendrore, lidhur me mosushtrim të detyrave funksionale dhe problematika në territor.
Lëvizja lidhet me çështjen e ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, problem që ka sjellë edhe arrestimin e shefit të komisariatit.
Paralelisht, ndaj Përgjegjësit të Sektorit të Inspektimit të Territorit në Vlorë, Xhovalin Hoxhaj, është hapur procedurë disiplinore për të njëjtat shkelje të konstatuara në terren.
Gjatë takimit në Sarandë, ministri Lamallari kërkoi nga strukturat e Policisë së Shtetit, IKMT dhe IMT zbatim më të rreptë të ligjit. Lamallari theksoi se do tw ketw “zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional".
“Dilni për Zot përgjegjësisë, që ju është dhënë. Ne nuk mund të lejojmë të cënohet diçka që është më e madhe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional. Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe”, tha ministri Lamallari./ZËRI