DURRËS- Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të 2 operacioneve të zhvilluara në Kavajë dhe Durrës.
Në pranga ranë Saimir Dakoli në Kavajë, i dënuar për trafik droge nga Gjykata e Apelit e Venecias me 7 vite e 4 muaj burg. Gjithashtu në pranga ra edhe Elton Stafa në Durrës, i njohur edhe me disa identitete të tjera, i dënuar për plagosje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të sendeve të vjedhura.
Të dy këta shtetas pritet të ekstradohen drejt Italisë.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit / Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohen brenda 24 orëve dy operacione të koduara “Operacionalja 94” dhe “The Wanted”.
Dy të arrestuarit kërkoheshin nga autoritetet italiane për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje.
1- Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 94”, lokalizuan dhe kapën në Kavajë shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Saimir Dakoli, 48 vjeç, banues në Kavajë.
Gjykata e Apelit e Venecias/Itali e ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 6 vjet, 4 muaj e 20 ditë burgim, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
2- Në Durrës, në kuadër të operacionit “The Wanted”, Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit pranë DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen, në lagjen nr. 1 Durrës, të shtetasit Elton Stafa, alias Elton Zani, alias Seit Stafa, alias Sadik Dervishi, alias Vladi Ymeri, alias Hasan Ymeri, 47 vjeç, banues në Shijak.
Gjykata e Apelit në Milano/Itali e ka dënuar me 5 vjet e 7 muaj burgim, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja e sendeve të vjedhura” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e dy shtetasve të kapur.