VLORË- Drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, deklaroi se defekti i rëndë që ka pa ujë 5 ditë qytetin, është drejt zgjidhjes dhe se qyteti pritet të kthehet plotësisht në normalitet gjatë orëve të pasdites.
Sipas tij, pajisja e dëmtuar është tashmë funksionale dhe situata po monitorohet vazhdimisht. Aktualisht, një pjesë e qytetit po furnizohet me ujë, ndërsa depot po mbushen për të garantuar furnizim të plotë pasditen e sotme.
“Pajisja e vendosur tashmë është në rregull. Situata është monitoruar dhe jemi mirë. Po furnizohet një pjesë e qytetit, ndërsa depot janë duke marrë ujë. Ishte një dëmtim shumë i rëndë, por tashmë mund të themi që jemi në fund të avarisë, fatmirësisht. Pati një angazhim maksimal nga të gjithë: AKUK, bashkia dhe Qeveria Shqiptare. Ndjesë qytetarëve për problematikën. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë”, u shpreh ai.
Ndërkohë që në një njoftim për mediat, Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët për përfundimin e riparimit të avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë.
“Sistemi i prodhimit është vendosur në funksion prej orëve të para të mëngjesit.
Zona 24 orëshe ka nisur furnizimin me ujë.
Pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet në orarin e pasdites.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor do të ndjek protokollin zyrtar për kontrollin e cilësisë së ujit dhe matjen e parametrave.
Ne keto kushte kërkojmë mirëkuptimin tuaj që uji të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm për 48 orët e para, jo për konsum dhe gatim.
Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë këtyre ditëve dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!”, thuhet në njoftimin zyrtar.