
BRITANI E MADHE-Një kriminel shqiptar është lejuar të qëndrojë në Britaninë e Madhe sepse djali i tij nuk preferon të hajë ushqim nga vendet e tjera. Mediat e huaja raportojnë se Gjykata e emigracionit tha se do të ishte tepër e ashpër që djali 10-vjeçar të detyrohej të shpërngulej në Shqipëri me babain e tij për shkak të ndjeshmërisë së tij rreth ushqimit. Shembulli i vetëm i dhënë në gjykatë ishte mospëlqimi ose neveria e tij për “llojin e pulës (chicken nugget) që shiten jashtë vendit”.
Klevis Disha, 39 vjeç, erdhi në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht në shkurt 2001, kur ishte vetëm 15-vjeç. Kur hyri në vend, ai përdori një emër të rremë dhe pretendoi se kishte lindur në ish-Jugosllavi. Ndërsa kërkesa e tij për azil u refuzua , ai siguroi nënshtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2007 pasi iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar dhe më pas leje qëndrimi e pacaktuar.
Ai u takua me partneren e tij në vitin 2006, një tjetër shqiptare që kishte marrë nënshtetësinë britanike, me të cilën kishte dy vajza dhe një djalë. Në shtator 2017, Disha u burgos për dy vjet pasi u kap me 250,000 paund, para, të njohura si të ardhura nga krimi. Më pas, Sekretari i Brendshëm Priti Patel urdhëroi që ai të deportohej në Shqipëri dhe t'i hiqej 39-vjeçarit shtetësia e tij në Mbretërinë e Bashkuar, pasi ajo ishte marrë me mashtrim.
Megjithatë, Disha apeloi dhe u mbështet nga një gjyqtar në një gjykatë të nivelit të ulët të emigracionit. Gjykatësi vendosi se dëbimi do të ishte i padrejtë për djalin e tij, që ai të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar dhe të ndahej nga babai i tij, ose të detyrohej të shkonte me të në Shqipëri./ZËRI