MIRDITË-Jetmira Biba, 35 vjeç është arrestuar nga Policia e Mirditës, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Ajo u ndalua për kontroll në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, në hyrje të Rrëshenit, teksa lëvizte me një automjet tip “Golf”. Gjatë kontrollit, policia gjeti një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, së bashku me automjetin.
Njoftimi i policisë:
Qarkullonte me automjet e armatosur me armë zjarri pistoletë, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçarja.
Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe automjeti.
Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetase qarkullonte e armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”.
Si rezultat i operacionit, në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, drejt hyrjes për qytetin e Rrëshenit, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip “Golf”, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasja e armatosur, dhe e ndaluan për kontroll.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasja J. B., 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, Mirditë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.