SHKODËR-Është zbardhur ngjarja e ndodhur në Shkodër, ku më 27 shkurt të këtij viti u vra 20-vjeçari Pavlin Preka. Në lidhje me ngjarjen si autorë të dyshuar janë arrestuar Klaudio Lisaj 20 vjeç dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç. Dy autorët akuzohen për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Arrestimi i Lisajt dhe Koçkut pritet të zbardhë edhe shkakun e vrasjes së 20-vjeçarit.
Pavlin Preka u qëllua me 6 plumba në oborrin e banesës së tij, ku jetonte i vetëm. Ai është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në pjesën e gjoksit dhe se uniformat blu kanë gjetur vetëm një gëzhojë në oborrin e shtëpisë. 20-vjeçari kishte 4 ditë që ishte kthyer në banesë, në fshatin Guci e Re, pasi i riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babanë dhe të vëllain pasi merreshin me bagëti. Trupi i pajetë i Prekës u gjet nga xhaxhai i tij. Ky i fundit kishte shkuar ta kontrollonte pasi nipi nuk i ishte përgjigjur në telefon.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit Pavlin Preka, e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re.
Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e krimit”, vihen në pranga shtetasit Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
K. L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;
V. K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri,
për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


