TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Enea Zyferin, i arrestuar në kuadër të hetimeve për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur që prej 5 qershorit. Enea Zyferi ëshë kamarieri i lokalit në pronësi të Armand Shakaj, i shpallur në kërkim si autori kryesor i pengamarrjes dhe zhdukjes së 34-vjeçarit.
Zyferi u arrestua nga policia e Tiranës për përkrahje të autorit të krimit, ndërësa në sallën e gjyqit këtë të mërkurë, ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.
"Punoj në lokalin e Armand Shakajt si kamerier, ditën që thotë prokuroria e kam parë Eglantin kur ka hyrë në lokal sepse e njoh, më pas nuk e kam parë më, nëse ishte larguar apo jo. Ndërkohë Armand Shakaj më ka thënë që të fikja dritat e lokalit, për shkak se kishte për të nxjerrë një frigorifer, unë i kam fikur dritat. Të nesërmen Armandi më ka thënë që të shkoj të laja makinën në një vend larg andej diku nga fundi i bulevardit të ri. Kam shkuar atje dhe me ka kapur policia. Unë nuk kam lidhje më këtë ngjarje", është shprehur Zyferi para togave të zeza.
Ai ka pretenduar më tej se e ka parë Kocin kur ka hyrë në ambientin e punës së Shakajt, por nuk ka dijeni të mëtejshme për fatin e tij. Gjatë dëshmisë në gjykatë, Zyferi u shpreh gjithashtu se Shakaj i kërkoi të çonte makinën në lavazh për ta larë dhe ai e dërgoi diku në fund të bulevardit të ri.
Ndërkohë, prokurori i çështjes kërkoi që 25-vjeçari të lihej në qeli për një afat të pacaktuar, deri në kryerjen e plotë të hetimeve dhe deri sa të zbardhet e gjithë dinamika e ngjarjes.
Eglant Koçi u denoncua i zhdukur nga familjarët. Ai ka humbur kontaktet që prej mbrëmjes së 4 qershorit dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “ëillson” në kryeqytet. Në të njëjtën kohë kur sipas burimeve, kishte shkuar në një takim me Armand Shakajn, dhe që prej aty ai nuk është kthyer më.
Në një reagim zyrtar ditën e djeshme, Policia e Tiranës njoftoi se ka gjetur ka arritur të gjejë motorin e 34-vjeçarit të zhdukur dhe vendin ku ai është mbajtur. Ndërsa në pamjet nga kamerat e sigurisë, janë dokumentuarit lëvizjet e Armand Shakajt, që ngrenë dyshimet se ai është personi që ka lidhje drejtpërdrejt me zhdukjene 34-vjeçarit.
Madje, në pamje e publikuara të siguruara nga ZËRI, shfaqet Armand Shakaj duke marrë motorin e Koçit rreth orës 00:30, mesnatën e 5 qershorit dhe duke e lënë pranë nënstacionit elektrik në Tiranë, në një përpjekje për të krijuar një alibi. Më pas, ai është kthyer në këmbë drejt Bulevardit të Ri dhe më vonë në banesën e tij.
Ndërkohë, hetimet vijojnë intensivisht. Sipas burimeve nga grupi hetimor, provat e mbledhura deri tani, si ato shkencore ashtu edhe rrethanore, kanë ngritur dyshime të forta se Eglant Koçi mund të jetë vrarë dhe më pas trupi i tij të jetë zhdukur. Megjithatë, trupi i Eglant Koçit nuk është gjetur ende, dhe policia nuk mund të konfirmojë vdekjen e tij./ZËRI
