Aktualitet

Dyshohet se bleu vota për Tom Doshin, SPAK çon për gjykim kryebashkiakun e Vaut të Dejës

Shkreli u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK pak ditë më parë nën dyshimin se bleu vota për Partinë Socialdemokrate. Atij iu komunikua akuza “ korrupsion në zgjedhje”.

zh.ll
Dyshohet se bleu vota për Tom Doshin, SPAK çon për gjykim
Kristian Shkreli 

TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli dhe ka bërë kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim. Shkreli u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK pak ditë më parë nën dyshimin se bleu vota për Partinë Socialdemokrate. Atij iu komunikua akuza “ korrupsion në zgjedhje”. Kërkesa e SPAK lidhur me kalimin apo jo të dosjes në proces gjyqësor do shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.

Njoftimi i SPAK:

SPAK dërgon për gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.  Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 23.10.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal nr. 49/1, të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i vitit 2025), në ngarkim të të pandehurit Kristian Shkreli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.

Në muajin muaj të këtij viti, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Shkrelit ju sekuestrua telefoni celular ndërsa iu ushtrua edhe kontroll. Shkreli është i dyshuar për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, pasi dyshohet se bleu vota për PSD-në e Tom Doshit. Së bashku me Shkrelin te dyshuar janë edhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.

Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të Kryeministrit Rama. Para sekuestrimit të celularit, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Shkodër, ZËRI kapi momentin kur kryeministri Edi Rama ka ‘kritikuar’ nën zë kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Në momentin që kishte hequr mikrofonin nga dora dhe po largohej, Rama u ndal pak sekonda përballë Shkrelit dhe i tha: "Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!"/ ZËRI

Poll

MOS HUMB