TIRANË- Një tjetër grua e dënuar për mashtrim dhe zhvatje përmes Call Centerave, pjesë e grupit të Bruno Çobos, do të lirohet nga qelia. Pas Greta Gjocit, tashmë do të lirohet edhe Antoneta Malos, ndaj të cilës GJKKO ka pezulluar me gjashtë muaj ekzekutimin e dënimit, pasi është nëna e dy fëmijëve të mitur, 3 vjeç dhe 1 vit e 3 muaj.
Malos depozitoi kërkesën për shtyrje të dënimit përmes avokatit të saj në të njëjtën ditë me Greta Gjocin. Kjo e fundit, një ditë pasi u transferua në burgun e Pojskës në Pogradec bashkë me foshjën 3 muajshe, u lirua pasi GJKKO pranoi shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Njoftimi i plotë
1. Kërkuesja Antoneta Malo (Pepkolaj) më datë 05.10.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 471 dhe 476/1 shkronja “c” të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 679, datë 09.10.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
2. Shtyrjen e ekzekutimit të dënimit që i është caktuar kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj) me vendimin nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për një periudhë kohore prej 6 (gjashtë) muaj, duke filluar nga data 09.10.2026 deri në datën 09.04.2027.
3. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të gjykatës.
Antoneta Malo është një prej 6 grave, mes 16 të pandehurve të grupit të Bruno Çobos, të akuzuar dhe dënuar për zhvatjen e 4.7 milionë eurove të qytetarëve italianë përmes Call Centerave. Ajo është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, pasi u shpall fajtore për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Më 5 tetor, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet e dhëna për 16 të pandehurit pjesë e grupit të Bruno Çobos të cilët mashtruan qytetarët europianë përmes Call Center. Bëhet fjalë për një dënim në total me më shumë se 100 vite për të 16-të të pandehurit. Kreu i grupit u dënua me 8 vite burg, ndërs të pandehurit e tjerë me dënime nga 7 vite e 4 muaj burg deri në 6 vite e 8 muaj.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që bëheshin nga grupi i Bruno Çobos, dhe qytetarëve u propozohej blerja online e aksioneve “Amazon”, me premtimin e fitimit të shumave të majme dhe të shpejta./ZËRI
