TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur të shtyjë ekzekutimin për Greta Gjocin deri sa foshnja e saj të arrijë moshën 1-vjeç. Gjoci, e cila dje u transferua në burgun e Pojskës në Pogradec, me foshnjën 3-muajshe, u paraqit këtë të enjte në GJKKO.
Pas kërkesës së mbrojtjes së Gjocit, një ditë më parë, GJKKO ka pranuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, në seancën e sotme. Ndërkohë mësohet se në seancën që zgjati 25 minuta, ishte i pranishëm avokati Jurgen Gjoci, i cili shkeli kështu bojkotin e avokatëve që vijon prej disa javësh.
Një ditë më parë, pas kërkesës së mbrojtjes, në burgun e Pojskës u krye verifikimi edhe nga Avokati i Popullit. Përfaqësuesja e avokatit të Popullit Gloria Carkaxhiu tha se kushtet në ambientin e posaçëm të çerdhes brenda institucionit janë vlerësuar në raport me nevojat e nënës dhe fëmijës.
Greta Gjoci është një prej 6 grave, mes 16 të pandehurve të grupit të Bruno Çobos, të akuzuar dhe dënuar për zhvatjen e 4.7 milionë eurove të qytetarëve italianë përmes Call Centerave. Ajo është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg pasi akuzohet për veprat penale “mashtrim kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Në vitin 2023, ndaj Gjocit u caktua masa e “arrestit në shtëpi”, të cilën ajo e mbajti për më shumë se tre vjet deri në vendimin përfundimtar. Fillimisht Gjoci u dënua me 10 vite burgim, ndërsa përfundimisht GJKKO i Apelit e dënoi me 6 vite e 8 muaj burg.
Më 5 tetor, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet e dhëna për 16 të pandehurit pjesë e grupit të Bruno Çobos të cilët mashtruan qytetarët europianë përmes Call Center. Bëhet fjalë për një dënim në total me më shumë se 100 vite për të 16-të të pandehurit. Kreu i grupit u dënua me 8 vite burg, ndërs të pandehurit e tjerë me dënime nga 7 vite e 4 muaj burg deri në 6 vite e 8 muaj.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që bëheshin nga grupi i Bruno Çobos, dhe qytetarëve u propozohej blerja online e aksioneve “Amazon”, me premtimin e fitimit të shumave të majme dhe të shpejta./ZËRI
