
TIRANË- Aktivistja Adriana Kalaja dhe Blendi Himçi kanë denoncuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oeganizuar, kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja. Kalaja dhe Himçi kanë ngritur kallëzim ndaj Llatjes për krime zgjedhore. Sipas tyre, kryebashkiaku ka punësuar disa persona tek pyjet dhe në shërbimet e fshatrave, për të cilat dyshohet se janë bërë punësime fiktive.
“E kemi kallëzuar për krim elektoral. Përveç asaj, që ne kemi cituar tek ky kallëzimi i sotëm është një shans në duart e SPAK, në duart e Dumanit për të treguar që taskforcën e ka ngritur seriozisht për të parandaluar dhe hetuar të gjithë krimin elektoral. Dhe nga ana tjetër, dhe në respektim të Kodit Penal. Veprat penale që lidhen me Kodin Penal janë jo vetëm kompetencë e SPAK, por janë edhe të dënueshme për sa kohë që devijojnë vullnetin e popullit. Ne do të vijojmë me denoncimin e krimit zgjedhor”, u shpreh Kalaja.
Ky është denoncimi i parë që është depozituar në Prokurorinë e Posaçme përsa i përket krimit zgjedhor, prej ngritjes së taskforcës nga SPAK. Task forca e ngritur përfshin prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës, të cilët do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Po ashtu, do të ngrihet një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme. Pjesë e planit strategjik është edhe një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. SPAK ka paralajmëruar edhe 4 veprat penale që rrezikojnë kundravajtësit, të parashikuara në ligj nga korrupsioni në zgjedhje tek veprat penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë./ZËRI