Aktualitet

Nis sot zbatimi i amnistisë penale! Ja sa të dënuar lirohen nga burgjet dhe cilët nuk do të përfitojnë

Procesi i lirimit të të dënuarve ka nisur gjatë ditës së sotme, nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.

zh.ll
Nis sot zbatimi i amnistisë penale! Ja sa të dënuar lirohen nga
foto ilustruese

TIRANË- Sot nis zbatimi i amnistisë penale në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri, ku do të përfitojnë mbi 1300 të burgosur, mes tyre gra dhe të mitur, ndërsa mijëra të tjerë përfitojnë faljen e ndjekjes penale për kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët. 541 të dënuar lirohen sot, ndërsa procesi ka nisur gjatë ditës së sotme, nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.

Parashikohet që 803 të dënuar përfitojnë ulje dënimi, 173 persona përfitojnë nga rillogaritja e dënimit, 124 raste lidhen me disa vendime gjyqësore, ndërsa 67 të dënuar përfitojnë nga bashkimi i dënimeve. Nga ana tjetër, 609 persona nuk përfitojnë nga amnistia penale, pasi nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.

Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.

Kush e përfiton lirinë?

-burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative;

-gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta;

-burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim;

-gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim;

-burrat mbi 60-vjeç, gratë mbi 50-vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18-vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.

Institucionet me numrin më të lartë të lirimeve janë:

Lushnja – 127 të liruar
Fieri – 104 të liruar
Reçi (Malësi e Madhe) – 101 të liruar
Rrogozhina – 94 të liruar
Korça – 60 të liruar.

Numri më i lartë i personave që nuk përfitojnë nga amnistia rezulton në:

Reçi (Malësi e Madhe) – 160 të dënuar
Peqini – 156
Fieri – 80
Korça – 66
Burreli – 44
Durrësi – 32

Ligji u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj. Sipas ligjit të miratuar me votën e 84 deputetëve, 81 ligjvënës socialistë dhe tre të PSD, do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti./ZËRI

Poll

MOS HUMB