Aktualitet

Një hap më pranë ekstradimit? Gjykata franceze lë në burg Ermal Beqirin!

44-vjeçari, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t, u arrestua mbrëmjen e 28 korrikut, në Francë. 

zh.ll
Një hap më pranë ekstradimit? Gjykata franceze lë në
ermal beqiri

FRANCË- Biznesmeni Ermal Beqiri, i arrestuar 2 ditë më parë në Francë, doli të mërkurën para gjykatës franceze, e cila i caktoi masën e përkohshme "arrest me burg" me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Ky vendim i hap rrugë autoriteteve shqiptare të nisin procedurat për ekstradimin, ndërsa ndaj biznesmenit, GJKKO ka caktuar më herët masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë.

44-vjeçari, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t, u arrestua mbrëmjen e 28 korrikut, në Francë. Beqiri u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Më pas nga verifikimet rezultoi se bëhej fjalë për sipërmarrësin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Si ndodhi arrestimit?

Sipas mediave franceze, ndalimi i tij ndodhi në rrethana të pazakonta. Beqiri ishte duke pilotuar një avion të vogël, i cili tërhoqi vëmendjen e autoriteteve pasi fluturoi mbi termocentralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime. Gjatë fluturimit, avioni zbriti në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar për zonat e ndjeshme, çka çoi fillimisht në ndërhyrjen e Forcave Ajrore dhe të Hapësirës të Francës.

"Një shtetas shqiptar u ndalua pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Normandi të Francës në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar.", raportuan mediat franceze.

Siç raportohet nga mediat franceze, një tjetër element i pazakontë që ka tërhequr vëmendjen, ishte gjatë kontrollit fizik, forcat e rendit gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij. Sipas medias franceze: "Këto pajisje të vogla GPS, të prodhuara nga Apple, përdoren për të lokalizuar dhe gjurmuar objektet ose personat që i mbajnë me vete. Sipas informacioneve tona, ky detaj i ka orientuar hetuesit drejt një piste tjetër: piloti mund të ketë vepruar nën detyrimin ose kontrollin e një porositësi."

Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni ka deklarua se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, për shkak se në ato momente, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon. Por përgjigjet e tij ngritën dyshime te policia dhe për këtë arsye, pasi u komunikua me palën shqiptare u vendos arrestimi, për shkak se rezultoi se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin Ermal Beqiri.

Më pas, çështja iu referua Xhandarmërisë Franceze, e cila procedoi me ndalimin e tij. 

Mediat franceze bëjnë me dije se Beqirit “iu dha një dënim me kusht dhe një gjobë prej 7,000 eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral. Ai u dorëzua më pas në Zyrën Qendrore për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri”.

Si pritet të kryhet ekstradimi?

Ermal Beqiri do të qëndrojë në burg në Francë, ndërsa vijojnë procedurat ligjore që paraprijnë shqyrtimin e kërkesës për ekstradimin e tij në Shqipëri. Autoritetet shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë autoriteteve franceze.

Megjithatë, përpara se të shqyrtohet kërkesa për ekstradim, drejtësia franceze duhet të përfundojë procedurat që lidhen me veprat penale për të cilat Beqiraj dyshohet se i ka kryer në territorin francez.

Pas përfundimit të këtyre procedurave, gjykata kompetente në Francë do të shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të paraqitur nga Shqipëria dhe do të vendosë nëse Beqiraj do t'u dorëzohet autoriteteve shqiptare për t'u përballur me akuzat e ngritura nga SPAK.

Hetimet e SPAK

Beqiri është nën masën e sigurisë "arrest në burg", të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".

Ermal Beqiri zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro. Hetimet e SPAK, të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit, në vlerën e rreth 1 milion eurove. Gjithashtu, atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete./ZËRI

Poll

MOS HUMB