TIRANË- Personazhi i njohur i TikTok, Kozak Braçi, është gjobitur nga policia e kryeqytetit me 100 000 lekë, për ndotje të ambientit. Blutë bëjnë me dije se 32-vjeçari ka hedhur mbeturina nga automjeti ku ndodhej si pasagjer. Arrestimi i tij erdhi pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, e cila megjithëse ishte regjistruar para disa kohësh, policia arriti ta identifikonte personin që kreu shkeljen.
Në videon, tashmë virale në rrjet, dëgjohet Kozaku duke thënë: "No problem, ok. Albanian no problem.", teksa hedh mbeturina nga xhami i makinës. Sipas asaj që bëjnë me dije blutë e Tiranës, TikTok-eri është ndëshkuar me masë administrative 100 000 lekë, teksa po hetohet në gjendje të lirë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Ndoti mjedisin, duke hedhur mbeturina nga automjeti me të cilin lëvizte, ndëshkohet me 100 000 lekë gjobë, 32-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën shfaqej një shtetas duke hedhur mbeturina nga dritarja e automjetit në lëvizje, ku ishte pasagjer, kryen verifikimet për nxjerrjen e këtij shtetasi, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i verifikimeve u konstatua se videoja e publikuar ishte regjistruar para disa kohësh, si dhe u identifikua shtetasi që kreu shkeljen, konkretisht K. B., 32 vjeç Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në përfundim të këtyre veprimeve, në zbatim të nenit 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000, dhe nenit 15 të Kodit Rrugor, 32-vjeçari u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë.
Gjithashtu, materialet procedurale për këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim vlerësimin juridik të mëtejshëm./ZËRI/