Aktualitet

Nuk e dinte që ishin LIVE/ Sulmi kibernetik, Karçanaj e AKSHI-t e pranon: U fshinë 10% e të dhënave

Karçanaj u informua se mbledhja do të vijonte me dyer të mbyllura, ndaj edhe ajo zbuloi detaje të reja.

k.m.
Nuk e dinte që ishin LIVE/  Sulmi kibernetik, Karçanaj e AKSHI-t e
Mirlinda Karçanaj

TIRANË- Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Posaçëm kundër dezinformomit, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj ka zbuluar për herë të parë detajet e sulmit kibernetik iranian. Në takimin e sotëm, ku edhe ishte e ftuar për të dhënë informacione për deputetët dhe nga kryetarin e komisionit, Erion Braçe, Karçanaj u informua se mbledhja do të vijonte me dyer të mbyllura, ndaj edhe ajo zbuloi detaje të reja. Sipas saj, 10% e sistemeve dhe të dhënave arritën që të fshiheshin nga hakerat. E teksa drejtoresha e AKSHI-T vazhdonte prej më shumë se 10 minutash të jepte informacione që konsideroheshin "sekrete", në njëmoment stafi i saj e informoi se deklarata e saj po bëhej "live" në faqen e Kuvendit, çka bëri që ajo të kërkonte ndërprerjen e sinjalit. Në këto kushte, komisioni vijoi seancat me dyer të mbyllura.

"Ne nuk e kishim idenë fare se në çfarë sulmi ishim ditët e para. Në datën 16 synimi i skuadrave ishin që të infektonin të gjitha backend-ed e menaxhuara nga AKSHI që ishin mbi 10 mijë në atë kohë, që do të thotë të inkriptonin të gjitha këto backende, përfshirë kompjutara. Pra nga 10 mijë backende, vetëm 250 u arritën të inkriptohen. Ishin momente shumë të vështira, nuk e kishim idenë se kë kishim përballë, dhe kishim një shtet të çorganizuar nga ana tjetër, që ndërkohë e gdhinim duke u marrë me procesin, kërkonin me të drejtën e tyre të vazhdonim punën e përditshme. Edhe sikur shërbimet të mos ishin online, sulmi synonte që të fshiheshin të gjitha sistemet e shtetit pra të ktheheshim në epokën e gurit ku qytetarët të mos kishin asnjë të dhënë. Ia dolëm që të izolonim gjithçka në atë moment, dhe sipas dy raporteve, vetëm 10% e sistemeve dhe të dhënave u arritën të fshihen nga ana e kundërshtarëve. Kundërpërgjigja e shtetit shqiptar ndaj këtij sulmi erdhi falë bashkëpunimit me Ambasadën e SHBA në Tiranë e cila solli në mbështetje një nga ekipet më të mira të FBI-së. U përfshi ekipi më i mirë i Mircosofti dhe me suportin e ambasadës amerikane, këshilltarit politik të asaj kohe, erdhën fizikisht që të bënin investigimin. Ideja ishte të kuptonin çfarë kishte ndodhur dhe të atribuonim sulmin që kishte ndodhur pranë AKSHIT. Ky ishte momenti që sërish ambasada amerikane na suportoi me skuadrën më të përgatitur cyber të FBI. Ata kanë punuar një muaj për analizën duke dalë ekzaktësisht në të njëjtin përfundim,"-tha drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj.

Sulmet kibernetike nisën fillimisht me paralajmërimet e Justice Homeland në Telegram, ku ranë pre me radhë kompania One, Air Albania, si dhe faqja e parlamentit të Shqipërisë e cila nuk punon prej disa ditësh. Pavarësisht miliona eurove të hedhura në sektorin e mbrotjes kibernetike, në dy vitet e fundit Shqipëria ka qenë në qendër të sulmeve të vazhdueshme, ku janë publikuar të dhënat personale të qytetarëve, përfshirë listat e pagave, targat e makinave apo materiale të tjera sensitive. Por mesa duket jo vetëm janë vjedhur, por edhe janë fshirë./ZËRI

Poll

MOS HUMB