
TIRANË- Avokatët që kanë ankimuar ligjshmërinë e mesazheve të "SkyECC" në Gjykatën Kushtetuese kanë bërë një shtesë (të rëndësishme) në kërkesën e tyre. Sot, 3 prej avokatëve kërkuan shfuqizimin e një prej dispozitave të Reformës në Drejtësi që vë në përgjim gjyqtarët dhe prokurorët. Kërkuesit janë avokatët Gurali Braimllari, Ylli Manjani dhe Ledio Bianku.
"Të mos përgjohen gjyqtarët dhe prokurorët. Të ndryshohet dispozita e Reformës në Drejtësi. Nuk duam të kemi përballë gjyqtarë dhe prokurorë që shantazhohen,"-thuhet ndër të tjera në kërkesën e avokatëve.
Më konkretisht, duan heqjen e nenit 42 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e SPAK-ut, që vë në përgjim gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Sipas nenit 42 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e SPAK, gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm janë nën monitorim të vazhdueshëm nga një njësi e veçantë e ngritur në Byronë Kombëtare të Hetimit.
NENI 42
5. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm. Prokurori i posaçëm i gatshëm drejton, kontrollon dhe monitoron oficerin përgjegjës në detyrë. Oficeri përgjegjës raporton çdo informacion që ngre dyshime të arsyeshme për veprimtari korruptive apo
kriminale te prokurori i posaçëm i gatshëm. Nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se prokurori i posaçëm është i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në veprimtarinë e dyshimtë. 6. Oficeri përgjegjës, sipas pikës 3, të këtij neni, bën monitorim periodik të telekomunikimeve të pjesëtarëve të afërt të familjeve të personave të listuar në pikën 3 vetëm nëse:
a) ekziston dyshim i arsyeshëm se telefoni është përdorur nga personat e listuar në pikën 3 për të shmangur monitorimin periodik, apo për të shërbyer si ndërmjetës për njërin nga personat e listuar në pikën 3 të këtij neni;
b) monitorimi bëhet ndaj anëtarëve të afërt të familjes, të cilët kanë dhënë pëlqimin për monitorimin periodik, por jo ndaj anëtarëve të familjes nën 18 vjeç;
c) brenda 24 orëve përgatit një raport me shkrim që shpjegon bazat e dyshimit të arsyetuar dhe rezultatet e monitorimit të anëtarit të afërt të familjes dhe ia paraqet prokurorit të posaçëm të gatshëm. Nëse ai prokuror i posaçëm duket si i përfshirë në një veprimtari kriminale, atëherë, brenda 24 orëve, oficeri
përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm pranë Prokurorisë së Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në veprimtarinë e dyshimtë;
ç) prokurori i posaçëm autorizon me shkrim vazhdimin e monitorimit të telefonit të pjesëtarit të afërt të familjes, nëse ekziston një dyshim i arsyeshëm se telefoni është përdorur nga personat e listuar në pikën 3 për të shmangur monitorimin periodik, apo për të shërbyer si ndërmjetës për njërin nga personat e
listuar në pikën 3 të këtij neni.
Depozitimi i kërkesës në Kushtutetuese nga avokatët, klientët e të cilëve kanë dalë në mesazhet e "SkyECC", pasi Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzoi përdorimin si provë në proceset gjyqësore penale, të bisedave të përfituara në mënyrë joligjore nga rrjetet e kriptuara Encrochat dhe SKYECC. Kërkesa e tyre është marrë parasysh dhe pritet që të shqyrtohet në datë 19 nëntor.
Në vendimin e dhënë pak muaj më parë, GJED kërkon që provat e dërguara nga gjykata franceze me Urdhërin Europian të Hetimit Penal, të verifikohen nga autoritet gjyqësor i vendeve të tjera, nese janë marrë në përputhje me procedurën e parashikuar nga legjislacioni i brendëshem dhe nëse janë në harmoni me parimet e të drejtës së shtetit përkatës.
Kështu që duke argumentuar qëndrimin e tyre, të akuzuarit dhe klientët e tyre kundërshtojnë mënyrën sesi janë tërhequr nga ana e SPAK, aktet që janë vendosur në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Për të njëjtën padi, SPAK kërkon që "Kushtetuesja" të rrëzojë ankimimin, pasi përgjimet e aplikacionit i konsideron prova të ligjshme.
Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse komunikimet në platformën “Sky ECC” do të mund të shërbejnë si prova ose jo në Gjykatë. Deskriptimi i bisedave nga agjensitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre. Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve./ZËRI