
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli Florenc Çapjan, të shumëkërkuarin e drejtësisë, i cili u ekstradua më 2 maj nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare. Çapja u la në masën “arrest në burg” për veprën penale “sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim në dëm të Sokol Sanxhaktarit.
Në dëshminë e tij, Çapja është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë përdorues i platformës së enkriptuar të komunikimit SKY ECC. Më tej ai ka pretenduar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej.
Çapja është shprehur gjithashtu se nuk e njeh të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin dhe nuk i ka kërkuar asgjë atij në lidhje me Sokol Sanxhaktarin. Dumani në deklaratat e tij pretendon se Çapja i ka ofruar shumën prej 200 mijë Eurosh për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës.
Çapja mbërriti në Shqipëri më 2 maj në kuadër të operacionit “The Wanted”, dhe do të vuajë dënimin me burg të përjetshëm pasi është dënuar për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012./ZËRI