
TIRANË- Një incident ka ndodhur gjatë një aktiviteti elektoral, ku kandidati i subjektit politik “Shqipëria Madhështore”, Rivelino Cuno ka bërë një raportim në Polici duke pretenduar se është penguar të zhvillojë fushatën e tij në Shkozë. Pas kallëzimit të tij, një 42-vjeçare është shoqëruar dhe më pas është proceduar në gjendje të lirë. Kjo pasi, sipas kallëzimit ka ofenduar pjesëmarrësit për shkak të shqetësimit nga zhurmat pranë banesës së saj, pa qenë në dijeni për natyrën e aktivitetit.
Policia po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË:
-Pasditen e djeshme, shtetasi R. C., 38 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik, ka njoftuar Policinë se ishte penguar gjatë aktivitetit të tij elektoral, në Shkozë. Shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet për rastin dhe kanë shoqëruar në komisariat, shtetasen Sh. S., 42 vjeçe, banuese në Shkozë, e cila ka deklaruar se i ka ofenduar pjesëmarrësit në këtë aktivitet pasi ishte shqetësuar nga zhurmat e krijuara afër pallatit ku ajo banon dhe se nuk e ka ditur arsyen e këtij aktiviteti./ZËRI