SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka marrë vendimin këtë të enjte për të lënë në qeli dy të arrestuarit gjatë operacionit të policisë dhe RENEA-s në Orosh, Erzen Ukën dhe Julian Cumrakun, të cilët dyshohet se kanë bërë pjesë ne organizata terroriste.
Në një deklaratë për mediat, avokati mbrojtës i Erzen Ukës shprehet se ndalimi është i paligjshëm pasi ai ndodhej rastësisht në atë shtëpi dhe nuk dinte asgjë për armët. Sipas avokatit, Uku dhe Cumraku nuk u dorëzuan sepse do t'i vrisnin, madje sipas tij, policia ka qëlluar drejt tyre. Avokati shtoi se ka ngritur pretendimin në gjykatë se Uka është plagosur nga polica dhe për këtë ka kërkuar që arrestimi të cilësohet i paligjshëm.
“Ndaj klientit tim nuk ka akuzë për terrorizëm. Është ndalim i paligjshem. Ata akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje. Klienti im ndodhej rastësisht në shtëpinë e Cumrakut pasi janë shokë. Nuk dinte gjë për armët. Policia e shtetit i ka qëlluar. Duhet të japin llogari policia si u plagos. Nuk u dorëzuan sepse do t’i vrisnin. Ngrita zërin në gjykatë sa i përket plagosjes së zotit Uka. I kërkova gjykatës, i cili nëse do të ishte plagosur nga policia, kërkova që të cilësohej i paligjshëm arrestimi, ose të identifikohej se kush e plagosi. Ai tha se kishte shkuar në atë banesë, se e kishte ftuar Cumraku në banesë, dhe nuk ishte në dijeni se kishte armë në banesë. Pasi ai e di shumë mirë se ishte në ndjekje nga policia, në vëzhgim. Ai nuk ka lidhje me grupe terroriste të ISIS, as policia nuk e dyshon këtë gjë. Ai nuk ka lidhje me armën, apo me vendngjarjen. Nuk është shtëpia e Erzen Ukës. Këtë gjë e pohoi. Cumraku i kishte mbledhur ato armë të vjetra në fshat dhe i kishte futur aty", u shpreh ai.
Uka dhe Çumraku u vetëdorëzuan pas më shumë se 12 orësh të rrethuar në një banesë në lagjen Orosh të fshatit Kryezi, Fushë-Arrëz. Përgjatë këtyre orëve ata refuzonin t'i dorëzoheshin policisë, madje duke kërcënuar se do të qëllonin ndaj forcave të rendit, nëse afroheshin.
Gjatë aksionit brenda shtëpisë ku qëndronin të ngujuar u gjetën 4 automatikë, 1 pistoletë, 7 karikatorë me fishekë, 18 granata dhe rreth 2000 fishekë. Banesa ku ata ishin ngujur raportohet se ishte e gjyshit të 34-vjeçarit Julian Cumraku. Prokuroria e Shkodrës po heton Erzen (Hamza) Uka dhe Julian Cumraku për veprat penale: Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave terroriste, Prodhimi i armëve luftarake, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit.
Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror. Julian Cumraku me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste. Ai është nipi i Mëhill Cumraku (Jaku), pronari i banesës ku qëndronte prej orësh se bashku me Ukën. Erzen Uka, i njohur si Hamza Uka, ka qenë edhe Komando në Ushtrinë në Irak./ZËRI