
TIRANË-Protesta e opozitës ka ngjallur edhe tensione në mesin e qytetarëve që nuk janë bërë pjesë e tubimit. Drejtuesit e mjeteve të bllokuar në trafik janë përplasur me protestuesit, duke bërë thirrje që të hapin rrugën.
Në një video të publikuar duket një i ri i cili është bllokuar ndërsa bën thirrje që protestuesit ti hapin rrugën pasi do të shkojë drejt "Rrugës së Elbasanit". I nervozuar drejtuesi i mjetit ka kërcënuar që do të bëjë masakër ndërsa hipën në makinë dhe nis të ecë drejt protestuesve.
Pesë akset kryesore të Tiranës u bllokuan për rreth tre orë, pas tubimit të organizuar nga opozita. Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Përplasje fizike pati edhe mes deputetëve dhe forcave policore, ku deputeti Flamur Noka qëlloi e shtyu shefin e komisariatit nr.1, Robert Losha. Një incident ndodhi edhe me deputetin Xhelal Mziu i cili u shfaq me dorën e gjakosur, duke pretenduar se një polic e gjuajti me skafandë.
Ndërkohë nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat gjatë protestës. Gjekmarkaj para ngjarjes deklaroi se është dhunuar nga policia gjatë protestës. Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet pasi ai u është prezantuar si i tillë. Më pas ai është tranportuar drejt spitalit të Traumës./ZËRI