
TIRANË-Policia ka arrestuar 15 persona në Tiranë, pasi protestuan këtë të hënë në mosbindjen civile të thirrur nga opozita. Mësohet se, Gent Ibro, Xhixho Ganjolla dhe Mirsad Halluni janë disa prej protestuesve të ndaluar nga Policia dhe janë shoqëruar në Komisariatin nr.6 në Tiranë.
Pesë akset kryesore të Tiranës u bllokuan për rreth tre orë, pas tubimit të organizuar nga opozita. Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Përplasje fizike pati edhe mes deputetëve dhe forcave policore, ku deputeti Flamur Noka qëlloi e shtyu shefin e komisariatit nr.1, Robert Losha. Një incident ndodhi edhe me deputetin Xhelal Mziu i cili u shfaq me dorën e gjakosur, duke pretenduar se një polic e gjuajti me skafandë.
Ndërkohë nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat gjatë protestës. Gjekmarkaj para ngjarjes deklaroi se është dhunuar nga policia gjatë protestës. Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet pasi ai u është prezantuar si i tillë. Më pas ai është tranportuar drejt spitalit të Traumës./ZËRI