
TIRANË- Biznesmeni Nadir Çausholli, ka rrëfyer për ZËRI se si ka rënë në kontakt me kompaninë “Eldemar Construction”, me të cilën ka bërë një ortakëri parimisht, për ndërtimin e një hoteli me vendndodhje tek Shkëmbi i Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Rock of Kavaja sh.p.k.”.

Nisur nga lajmet që qarkulluan në media një ditë më parë, ZËRI vendosi të kontaktonte vetë Çaushollin për të zbardhur bashkëpunimin me kompaninë “Eldemar Construction”, pronari fundor i të cilës është Elvis Doçi, i shpallur në kërkim dhe i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”.
Por siç ZËRI ka raportuar më herët, kompania “Eldemar Construction” ka marrë lejën e firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por jo në emër të Doçit.
Në vitin 2010, “Visi i Pojës”, ka caktuar si përfaqësues të “Eldemar Construction”, Denis Tafilin, ndërsa në vitin 2024, si administrator të kompanisë ka emëruar Gëzim Hasën. Ky i fundit, siç rrëfen edhe Çausholli për ZËRI është personi që është paraqitur edhe në bisedimet zyrtare për të nënshkruar ortakërinë për ndërtimin e hotelit përmes subjektit “Rock of Kavaja”.
Biznesmeni shprehet se nuk e ka njohur asnjëherë Doçin dhe se nuk ka qenë në dijeni se kush ishte personi që qëndronte pas kësaj kompanie. Ai vetëm ka zhvilluar takimin me përfaqësuesit e shoqërisë franceze “Accor”, për të sjellë për herë të parë në Shqipëri grupin “Pullman Hotel and Resort”.
“Kompania s’ka asnjë lloj lidhjeje. Ata janë prezantuar me ne, nëpërmjet drejtorëve, kemi pasur një marrëdhënie korrekte, e cila nuk ka filluar në të vërtetë. Unë Elvis Doçin nuk e kam takuar asnjëherë, nuk e di fare se kush është. Nuk kam folur as në telefon me të, nuk kam asnjë informacion për të. Jam prezantuar me drejtorët e tij në takimin me përfaqësuesit e grupit “Accor” si çdo ndërtues kur merr tokën dhe përqindjen e ndërtimit,”- shprehet Çausholli për ZËRI.

Vijimi i projektit u la i paqartë nga Çausholli. Hoteli PUllman Durrës me 184 dhoma, ishte parashikuar të hapë dyert në vitin 2028, por procesi është në duart e ortakëve.