DURRËS- Një rast i bërë publik në rrjetet sociale ka sjellë reagime të shumta në rrjet, pasi u pretendua se një pacient ishte lënë pa shërbim mjekësor dhe kishte ndërruar jetë në Spitalin e Durrësit. Por, në një reagim për mediat, vetë Spitali ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se pacienti ndodhet gjallë dhe po merr trajtim mjekësor.
Bëhet fjalë për Artan Andonin, 52-vjeç, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në ranimacion në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po monitorohet nga stafi mjekësor.
Një ditë më parë, kirurgu Dr. Naim Mediu dha detaje mbi gjendjen e pacientit, duke bërë me dije se ai është në gjendje të stabilizuar dhe se ndërhyrja e dytë kirurgjikale ka përfunduar me sukses. Sipas mjekut, 52-vjeçari kishte kryer më herët një ndërhyrje në QSUT, më 29 qershor, për probleme me enët e gjakut, ndërsa më pas iu nënshtrua një tjetër operacioni në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Mjeku ka bërë me dije se gjendja e 52-vjeçarit është e stabilizuar dhe se aktualisht ndodhet në terapi instensive, ku qëndrojnë të gjithë të sëmurët që kryejnë një operacion të tillë.
“Gjendja e pacientit është shumë e mirë pas ndërhyrjes që ka bërë sot rreth orës 02:00 mbasdite deri nga orën 04:00. Pavarësisht nga lloji i operacionit ka pasur një ecuri të mirë postoperatore. Pacienti jo vetëm që është gjallë po dhe në parametra shumë të mirë. Është zgjuar aktualisht në dhomën e terapisë intensive aty ku qëndrojnë të gjithë të sëmurët që kryejnë një operacion të tillë”, tha mjeku.
Mjeku bëri me dije se pacienti është mbartës i virusit HIV, por jo transmetues, dhe kjo nuk ka penguar kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale. Po ashtu, mjeku bëri me dije se dyshohet se para rikthimit në spital pacienti mund të kishte konsumuar heroinë, por trajtimi është kryer dhe gjendja e tij vijon të monitorohet.
Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ për trajtimin e pacientit. Ministria ka bërë me dije se do të verifikohen të gjitha procedurat e ndjekura nga strukturat shëndetësore dhe sociale, si dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në trajtimin dhe transportimin e pacientit.
Në reagimin e Ministrisë, bëhet me dije se drejtues të institucioneve përkatëse kanë nisur verifikimet në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta. Lidhur me gjendjen e pacientit, bëhet me dije se 52-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Durrësit. Në përfundim, Ministria paralajmëron masa administrative apo ligjore nëse nga hetimi do të rezultojnë shkelje.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Lidhur me trajtimin e rastit të pacientit 52-vjeçar A.A., nga qyteti i Durrësit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ, i cili do të shqyrtojë në mënyrë të plotë jo vetëm procedurat dhe masat e marra nga struktura spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e strukturave të shërbimit social të përfshira në këtë rast.
Në kuadër të këtij procesi, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur procesin e hetimit administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.
Ndërkohë, pacienti ndodhet nën kujdesin e strukturave shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit.
Gjithashtu, po verifikohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësia e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e pacientit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë, zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe marrjen e çdo mase administrative apo ligjore që do të rezultojë e nevojshme.