Aktualitet

Pacolli e shkarkoi, reagon ish-administratori i Aeroportit të Vlorës: E mora vesh nga mediat, kam zbatuar ligjin

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka shkarkuar administratorin e shoqërisë koncesionare, Vlora International Airport, Valon Lluka. Ky i fundit thotë se vendimin e ka mësuar nga mediat

E.K
Pacolli e shkarkoi, reagon ish-administratori i Aeroportit të Vlorës:
Behgjet Pacolli dhe Valon Lluka

TIRANË- Valon Lluka, ish-krahu i djathtë i biznesmenit Behgjet Pacolli, ka reaguar pas shkarkimit të njëanshëm të tij nga detyra e administratorit të portit të Vlorës. Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Lluka shprehet se vendimin e Pacollit e ka mësuar nga mediat, dhe nuk i është bërë asnjë komunikim zyrtar nga ana e Pacollit. Lluka shprehet se në detyrën e tij si administrator i Vlora International Airport – VIA Sh.p.k, ka vepruar në përputhje me ligjin shqiptar dhe me kontratën e koncensionit, ndërsa e cilëson projektin të një rëndësie stratergjike për Shqipërinë.

“Marr shkas nga raportimet dhe lajmet e shpërndara gjerësisht në media lidhur me shkarkimin tim nga pozita e Administratorit të Vlora International Airport – VIA Sh.p.k., pas një periudhe gati katërvjeçare në drejtimin e kësaj shoqërie me rëndësi të veçantë strategjike për shtetin shqiptar.

Që në fillim dëshiroj të theksoj se nuk jam njoftuar zyrtarisht për një vendim të tillë dhe nuk kam marrë asnjë akt apo komunikim formal nga organet kompetente të shoqërisë. Deri më tani, informacioni që disponoj buron vetëm nga raportimet mediatike. Si rrjedhojë, mbetem plotësisht i pa informuar mbi shkaqet dhe arsyet ligjore që mund të kenë motivuar një veprim të tillë.

Megjithatë, ju siguroj se në ushtrimin e detyrës sime si Administrator, kam vepruar gjithmonë në përputhje të plotë me Statutin e Shoqërisë, me Kontratën e Koncesionit, si dhe me të gjithë kuadrin tjetër ligjor e rregullator të zbatueshëm. Çdo vendim apo akt nga ana ime ka qenë i mbështetur mbi parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjësisë, me qëllim zhvillimin dhe përfundimin me sukses të këtij projekti strategjik dhe të rëndësishëm për shtetin shqiptar”, shkruan Lluka në reagimin e tij.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës përfshin një investim 104 milionë euro dhe ka një sipërfaqe prej 309 hektarë. Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila kishte 48 % të aksioneve, ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”. Por po në mars të atij viti shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro. Që nga nisja e ndërtimit, ka pasur reagime nga shoqatat që merren me mbrojtjen e mjedisit, pasi parashikohet që aeroporti të ndikojë negativisht tek fauna e lagunës së Nartës. /ZËRI

Poll

MOS HUMB