TIRANË- Gjykata Administrative ka shtyrë seancën për shqyrtimin e padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kundër emërimit ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado. Seanca e radhës do të mbahet më 19 qershor, në orën 14:00. Veliaj ka kërkuar pavlefshmëri të emërimit të Dados si prokuror në vitin 2008.
Siç duket edhe në pamjet e mëposhtme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbërriti mesditën e sotme në Gjykatën Administrative teksa mbante në dorë një libër në gjuhën angleze të autores, Naomi Alderman, që titullohej “Mos digjni askënd në turrën e druve sot”.
Pasi hyri në sallën e gjyqit, aktori Robert Ndrenika u takua me kryebashkiakun Veliaj, të cilit i tha “ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë.”
“Jooo”, i përgjigjet Veliaj, ndërsa aktori e përqafon dhe e puth në ballë, ndërsa kryetari i Tiranës shton: “Mos qaj.”
Avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, ka kërkuar që seanca të jetë publike, por trupa gjykuese e rrëzoi kërkesën.
“Regjistrimin dhe transmetimin e pjesshëm të seancës, në çelje dhe në pjesë të seancës kur të japë vendime. Kamerat duhet të regjistrojnë palën paditëse ose gjykatën, jo të tjerë. Gazetarët mund të jenë të pranishëm dhe të mbajnë shënime, por jo regjistrime. Kamerat të fiken dhe mos të regjistrohet”, tha gjykatësi.