TIRANË-Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me rastin e një padie nga biznesmeni Dionis Teqja ndaj ZËRI-t dhe 10 mediave të tjera. Konkretisht gjyqtari Flamur Kapllani me anë të një “sigurim padise” të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon heqjen e një lajmi që ka të bëjë me biznesmenin Dionis Teqja.
Lidhur me këtë veprim Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shprehe se po ndjek me vëmendje çështjen ndërsa shpreh shqetësimin se masat që lidhen me heqjen ose bllokimin e publikimeve mediatike duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, duke pasur parasysh ndikimin që mund të kenë mbi ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Asociacioni kërkon nga organet gjyqësore të vijojnë të garantojnë një proces të drejtë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe jurisprudencën europiane mbi lirinë e medias. Në reagim gjithashtu theksohet se shifrat marramendëse që kërkohen si dëmshpërblim ndaj gazetarërve dhe mediave që arrijnë deri në 500.000 euro janë tërësisht abuzive dhe formë presioni.
REAGIMI:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë po ndjek me vëmendje vendimin për “sigurimin e padisë” të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me disa publikime mediatike që kanë të bëjnë me biznesmenin Dionis Teqja.
AGSH vlerëson se çdo individ ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e reputacionit dhe dinjitetit të tij, ashtu siç mediat dhe gazetarët kanë detyrimin të raportojnë në mënyrë profesionale, të verifikojnë informacionin dhe të respektojnë standardet etike të gazetarisë.
Nga ana tjetër, konsiderojmë se në raste të tilla është e rëndësishme që të ruhet një ekuilibër i kujdesshëm mes mbrojtjes së reputacionit dhe garantimit të lirisë së shprehjes dhe informimit publik, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet europiane për lirinë e medias. AGSH shpreh shqetësimin se masat që lidhen me heqjen ose bllokimin e publikimeve mediatike duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, duke pasur parasysh ndikimin që mund të kenë mbi ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Ne inkurajojmë të gjitha palët që këtë proces ta trajtojnë me profesionalizëm, qetësi dhe respekt për institucionet, ndërsa organet gjyqësore të vijojnë të garantojnë një proces të drejtë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe jurisprudencën europiane mbi lirinë e medias.
Në çdo rast shifrat marramendëse që kërkohen si dëmshpërblim ndaj gazetarërve dhe mediave që arrijnë deri në 500.000 Euro ndaj gazetarit Arsen Rusta janë tërësisht abuzive dhe formë presioni ndaj tij dhe të tjerëve. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë këtë çështje me vëmendje, në mbështetje të standardeve profesionale, sigurisë juridike dhe lirisë së medias në vend.