
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për në 13 janar, gjyqin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe ish-kryepolicit të Shkodrës, Edmond Sulajt. Seanca u shty për shkak se Gjykatës nuk i kishte ardhur konfirmim se pala e akuzuar, Gazmend Bardhi kishte marrë dijeni për gjyqin që do të zhvillohej sot. Ndryshe nga Bardhi, në sallë i pranishëm ishte Edmond Sula se bashku me avokatin e tij, ndërsa demokrati përfaqësohej në sallë nga Marash Logu.
Padia u depozitua nga Sulaj, pasi nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Bardhi tha se ish-kryepolici i Shkodrës ishte caktuar në detyrë nga Pëllumb Gjoka, fakt që sipas tij e kishte mësuar nga zbardhja e bisedave të përgjuara në aplikacionin "SkyECC".
Bardhi lexoi edhe kodet nga ku ishte marrë bashkëbisedimi, duke zbuluar se një prej tyre ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka. E tjetri, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë vetë SPAK, u konfirmua nga ZËRI se ishte Ardit Hasanbegaj, i cili në datën 16 shkurt 2020 mbante postin e zv/drejtorit të Policisë Shkodër.
Por çfarë përmbanin bisedat?
"Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën! Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm,"-tha Bardhi në Kuvend.
Përgjigjia e parë kundër tij erdhi vetëm disa orë më pas, nga vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Nga Kuvendi, ministri i ri i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratit, ndërsa Sulaj paralajmëroi betejën ligjore ndaj demokratit. Pas denoncimit të Bardhit në Kuvend,ish-drejtori i Policisë premtoi përballje në gjyq me Bardhin./ZËRI