Aktualitet

Paga e nivelit të Diplomës/ Mësuesit në Korçë në grevë, iu ulën pagat me 10 mijë lekë

Trebicka tha se pavarësisht përpjekjeve, kjo çështje ende nuk është zgjidhur, ndërkohë paralajmëroi për grevë në të gjithë vendin.

I.F
Paga e nivelit të Diplomës/ Mësuesit në Korçë
Leonard Trebicka

KORÇË- Mësuesit në Korçë kanë paralajmëruar grevë, pasi pagat e tyre janë ulur pas miratimit të ligjit të pagës së nivelit të diplomës. Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Korçë, Leondard Trebicka shprehet se janë 350 mësues në Korçë që pagat iu janë ulur me 10 mijë lekë të reja prej qershorit të vitit të kaluar. Trebicka tha se pavarësisht përpjekjeve, kjo çështje ende nuk është zgjidhur, ndërkohë paralajmëroi për grevë në të gjithë vendin.

“Takimin e parë e kemi bërë 2 muaj më parë në Ministrinë e Arsimit, ndërkohë që ky ka qenë takimi i dytë. Ky takim ka qenë në lidhje me pretendimin e mësuesve që diploma nuk iu njihet edhe kualifikimi. Me 0 pikë janë vlerësuar të gjithë mësuesit që iu është ulur paga. Në fakt ne kemi pasur një pretendim nga Ministria që thotë se i njëjti udhëzim ka qenë edhe në vitin e kaluar. Duhet të respektohet kontrata kolektive që thotë se duhet të ndiqen hapat e bisedimeve mes palëve dhe më pas të shkojmë drejt një greve e cila shumë shpejt do të jetë e pranishme në Shqipëri. Pas mbylljes së tremujorit të dytë më 31 mars, Sindikata do të marrë hapa ligjorë dhe do të nisë një grevë për të gjithë mësuesit në Shqipëri”, tha Trebicka.

Nga paga e nivelit të diplomës janë prekur 6500 mësues në të gjithë vendin. Paga e nivelit të diplomës hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 2024, në mënyrë që mësuesit të përfitojnë rritje sipas nivelit të tyre të diplomës dhe kualifikimeve.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi që rishikon në rritje pagat e punonjësve mësimorë në institucionet e arsimit.

a) Për punonjësit mësimorë:

“Paga për pozicion, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni pune;

ii. shtesa e nivelit të kualifikimit, që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës.

Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për çdo grup diplome përcaktohet në lidhjen nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

iii. shtesa për vjetërsi në punë, që jepet në masën: -0.6 (zero pikë gjashtë) % pas çdo viti pune për 10 (dhjetë) vitet e para (1–10 vjet) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit;-0.8 (zero pikë tetë) % pas çdo viti pune për 10 (dhjetë) vitet e dyta (11–20 vjet) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit;-1 (një) % pas çdo viti pune për 10 (dhjetë) vitet e treta (21–30 vjet) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; iv. shtesa për kategorinë e kualifikimit, që shpërblen zhvillimin profesional të punonjësve mësimorë përgjatë karrierës së tyre, pas përfitimit të kategorisë së kualifikimit, do të llogaritet në përqindje, për çdo kategori, si më poshtë vijon:-10 (dhjetë) % të shtesës së nivelit të kualifikimit, për kategorinë “mësues i kualifikuar”;-20 (njëzet) % të shtesës së nivelit të kualifikimit, për kategorinë “mësues specialist”;-30 (tridhjetë) % të shtesës së nivelit të kualifikimit, për kategorinë “mësues mjeshtër”.

Masa në përqindje, sipas përcaktimeve të mësipërme, llogaritet mbi vlerën e përcaktuar në lidhjen nr.4, të këtij vendimi, për grupin përkatës të diplomës, referuar nivelit më të lartë të kualifikimit, që zotëron punonjësi mësimor; v. shtesa për natyrë të veçantë pune e aplikueshme për disa pozicione në shkollat e arsimit të mesëm të lartë profesional”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit edhe shtesat mbi pagën do të përfitohen sipas nivelit të diplomës dhe kualifikimeve. /ZËRI

Poll

MOS HUMB