
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte qeverinë, ku e pranishme është dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku. Mbledhja e qeverisë, vjen në një ditë të pazakontë, për shkak se pak metra më tutje, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Këshilli i Mandateve do të njihet me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut si deputete, çka i hap rrugë më pas arrestimit të saj.
Vetë politikania socialiste ka hyrë në ambientet e kryeministrisë, për të marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë, ndërsa nuk dihet nëse më vonë do të zhvendoset pak metra më tutje, në Kryesinë e Kuvendit, ku SPAK do të kërkojë arrestimin e saj, në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve.
Balluku, por edhe vetë socialistët, nuk kanë qenë të qartë mbi qëndrimin që do të mbajnë për kërkesën që Prokuroria e Posaçme i ka bërë Kuvendit, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres. Nga ana tjetër, në Kryesinë e Kuvendit, kanë mbërritur tashmë 3 prokurorët e SPAK, përfshirë drejtuesin Klodian Braho, që do i kërkojnë deputetëve heqjen e imunitetit të Ballukut, për shkak të indicieve që gjatë kësaj kohe ajo mund të ndikojë në prishjen e provave për dosjen e saj. /ZËRI