VLORË-Vatra zjarri përfshinë mbrëmjen e djeshme pyjet e të paktën tre fshatrave në Vlorë. Në pamjet e publikuara shihen se disa pemë ulliri janë përfshirë nga flakët.
Vatrat e zjarrit në zonat e Dukatit, Drashovicës në qarkun e Vlorës janë vendosur nën kontroll. Zjarret raportohet se ishin të qëllimshme dhe kjo ngriti alarm tek autoritetet dhe banorët lokalë. Lidhur me situatën ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila raportoi se zjarret janë shkaktuar nga një grup i strukturuar kriminal, që ka vepruar me qëllim dhe në mënyrë të koordinuar.
Njoftimi:
Sonte, mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë. Pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara. Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.
Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri. Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve./ZËRI