BULQIZË- Banorët e Gjoricës së Poshtme në Bulqizë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonën e tyre, kanë tentuar që të hyjnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, por janë penguar nga policia. Jashtë dyerve është krijuar një situatë e tensionuar, sakaq, mbledhja e Këshillit u ndërpre për një ditë dhe orë tjetër ende të pacaktuar.
Forca të shumta policie kanë penguar hyrjen e banorëve në sallën e mbledhjes. Sipas raportimeve, dera e sallës ka qenë e mbyllur, duke penguar edhe këshilltarët e djathtë të futen në mbledhje.
Njëri prej këshilltarëve, i gjendur përballë detyrës së mbyllur, përplaset me efektivët dhe kërkon të dijë për prezencën e tyre se kush i ka vendosur:
"Kjo prezenca e juaj këtu nga kush është. Kush iu ka sjellë këtu?", dëgjohet njëri prej tyre.
Banorët kundërshtojnë ndërtimin e paneleve fotovoltaike, pasi sipas tyre, ky projekt cenon drejtpërdrejt kullotat që ata përdorin prej vitesh për blegtorinë, duke rrezikuar jetesën e tyre. Gjithashtu, ata pretendojnë se procesi i miratimit të projektit është shoqëruar me parregullsi, pasi firmat në mbështetje të paneleve, sipas tyre, janë mbledhur edhe nga persona që nuk jetojnë në Gjoricë. Kjo ka rritur edhe më shumë pakënaqësinë dhe mosbesimin ndaj vendimmarrjes së autoriteteve lokale.
Jashtë dyerve të Këshillit, banorët janë shprehur të revoltuar për mediat:
"Nuk e di se si i kanë marrë firmat tona...Dun me na marrë në qafë, me na heq prej Gjorice", shprehet njëri prej banorëve.
Banorët kërkojnë më shumë transparencë në vendimmarrje, dëgjimin e zërit të tyre dhe rishikimin e projektit për të siguruar që interesat e komunitetit të respektohen.
Konkretisht Bashkia ka miratuar kalimin e tokave me sipërfaqe 42.5 hektarë për projekti ‘Gjorica Solar Park’.
Procedurat në terren për projektin 'Solar Park Gjorica' nisën në fund të vitit 2023, ndërsa në gusht të 2025 Enti Rregullator i Energjisë miratoi nisjen e procedurës për licencim kompanisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk për impiantin në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë. /ZËRI