Aktualitet

PANIK në Ali Dem-Kompleksi ‘Kadiu’ i Fatmir Bekteshit përfshihet nga zjarri, banorët evakuuohen gjatë natës

'Kadiu' është ndërtuar nga biznesmeni Fatmir Bektashi, kompleks i cili ende nuk ka përfunduar plotësisht, ndërsa pallatet kanë vetëm pak muaj që janë banuar.

F.I
PANIK në Ali Dem-Kompleksi ‘Kadiu’ i Fatmir Bekteshit
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Momente paniku janë shënuar për banorët e lagjes 'Ali Dem' në Tiranë, ku zjarri ka përfshirë kompleksin rezidencial “Kadiu”. Flakët dyshohet se janë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa tymi i dendur është përhapur me shpejtësi në ambientet e pallatit, duke detyruar evakuimin e banorëve.

"Rreth orës 22:45, në rrugën “Pasho Hysa”, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kabinën elektrike të një kompleksi pallatesh. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit,"-raporton Policia.

Si pasojë e incidentit, një banore ka pësuar asfiksi nga tymi dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe evakuimin e banorëve.

'Kadiu' është ndërtuar nga kompania “Kontakt Sh.p.k”, nga ndërtuesi Fatmir Bektashi, kompleks i cili ende nuk ka përfunduar plotësisht, ndërsa pallatet kanë vetëm pak muaj që janë banuar. Por edhe pse pallatet janë sapo ndërtuara, zjarri tregon mungesë së standardeve bazë të sigurisë. Vetë Bektashi, edhe pse është në akuzë për dy vepra penale "korrupsion aktiv" dhe “pastrim parash” në dosjen “Partizani”, shfaqet edhe në dosjen e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj. Por përballja me drejtësinë nuk e ndalon që të vazhdojë të ndërtojë.

Ngjarja në pallatin e kompleksit “Kadiu” vjen vetëm një muaj pas zjarrit te “Arlis” përballë QSUT që shkrumboi gjithë pallatin duke rrezikuar dhjetëra banorë, ndërsa një pjesë prej tyre përfunduan në spital./ZËRI

Poll

MOS HUMB