
TIRANË- Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani” është shtyrë sërish. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të zhvillojë seancën e radhës më 6 mars.
Në seancën e sotme pritej që gjykata të vendoste nëse do të pranonte ose jo kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëse do të gjykonte çështjen.
Por, sot nuk u mor asnjë vendim dhe u vendos që të shtyhet seanca për më 6 mars.
Ndërsa, avokati Genc Gjokutaj pas përfundimit të seancës përsëriti kërkesën për të pushuar çështjen. Ai tha se është kërkuar pushimi i çështjes dhe po pritet vendimi i gjykatës.
“Të gjithë kanë kërkuar pushimin e çështjes për mungesën e faktit penal. Nuk ka çështje. Të gjithë subjektet personat por dhe mbrojtësit jemi në një unison sepse është një çështje e tërë e stisur dhe ka një shkak të përbashkët, mungesën e faktit penal. E gjatë sepse është voluminoze. Nuk ka lëndë brenda, kemi kërkuar pushimin e çështjes. Pastaj do shikojmë si do veprojë gjykata. Në këtë çështje nuk ka alternativë. Në vizionin tonë, mungesa e faktit penal, nuk lë shteg për alternativë. Ata kanë kryer veprime voluminoze, kanë dalë dhe jashtë objektit. Nuk mund të bëjmë kërkesa të pakuptimta”, tha Gjokutaj./ZËRI