TIRANË- Pas financieres Adela Kondakçi, e cila u bë e penduara e drejtësisë, një tjetër dëshmitar është bërë "i penduar" për Ajola Xoxën dhe kryebashkiakun e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Në shkrimin e publikuar nga "CNA", raportohet se bëhet fjalë për personin e hetuar me inicialet G. S., por në dokumentin e dosjes së SPAK bëhet me dije edhe emri i tij, Gentian Sula. Ndër të tjera në shkrim bëhet me dije se personi në fjalë fillimisht mori përsipër shumën prej 220 mijë eurosh të gjetur në firmën “Partners Law”. Por më pas, gjatë hetimeve ka ndryshuar qëndrim dhe ka bashkëpunuar me SPAK.
I pyetur në lidhje me shumën 115 000 euro, e gjetur dhe sekuestruar në firmën “Partners Law”, G. S. ka thënë se nuk është e vërtetë që ka paguar cash apo ka porositur këtë shumë. I hetuari G. S. ka thënë se hartimi dhe nënshkrimi i kontratës i ishte kërkuar si favor nga ana e Ajola Xoxës. Favor të cilin ka thënë se e ka pranuar, pasi nuk kishte dijeni që kjo kontratë do të paraqitej në prokurori dhe gjykatë. Por shtoi se kontrata nuk ishte përpiluar prej tij. Megjithatë, edhe pse e kishte firmosur, nuk dinte detaje se përse i duhej kontrata zonjës së parë të kryeqytetit.
Në shkurt të vitit 2021 Ajola Xoxa depozitoi në QKB një vendim të sajin, si ortake e vetme, që të gjitha kuotat e kompanisë së saj ia kalon znj. Greta Domi. E sipas shkresës së dorëzuar në QKB, Xoxa dhe Domi e kishin nënshkruar këtë marrëveshje me shkrim dore që prej janarit të 2019. Ky veprim ngre dyshime pasi është depozituar pranë QKB 2 vite pasi është firmosur. Ndërsa administratore e kësaj kompanie është Ajola Xoxa. Sipas fakteve të zbardhura në vendimin e gjykatës, rezultoi gjithashtu se kompania “Gogël” e Arbër Veliajt i ka kaluar shuma të konsiderueshme parash kompanisë “Partners Law”./ZËRI