Aktualitet

Pas Kuvendit, “Homeland Justice” hakeron Postën Shqiptare: Kemi të dhënat tuaja!

Përmes një mesazhi të ndarë në “Telegram”, “Homeland Justice” shkruan se disponon të gjitha të dhënat e Postës Shqiptare.

I.F
Pas Kuvendit, “Homeland Justice” hakeron Postën Shqiptare: Kemi
Foto ilustruese

TIRANË- Disa ditë pas hakerimit të faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i “Homeland Justice” pretendon se ka sulmuar edhe sistemet e Postës Shqiptare. Përmes një mesazhi të ndarë në “Telegram”, “Homeland Justice” shkruan se disponon të gjitha të dhënat e Postës Shqiptare.

“Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët i kanë dhënë autoritet të plotë Pedofilëve të Regjimit të Epstein dhe nuk kanë aspak liri veprimi dhe pavarësi, janë kthyer në shërbëtorë dhe skllevër të paguar për terroristët e Kampit Ashraf 3 për disa muaj me radhë”, thuhet në reagimin e tyre në Telegram.

Pas Kuvendit, “Homeland Justice” hakeron Postën Shqiptare: Kemi
Mesazhi

Por, kjo nuk është hera e parë që grupi i hakerave “Homeland Justice”, kryen sulme ndaj instuticioneve shqiptare. Disa ditë më parë ata sulmuan edhe faqen zyrtare të Kuvendit, sulm ky që edhe u pranuar zyrtarisht nga instuticioni. Asokohe në një  deklaratë zyrtare, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se sulmi pati si synim fshirjen e të dhënave dhe cënimin e sistemeve të brendshme, por rezultoi se infrastruktura kryesore e punës nuk u prek. 

Nisur nga kjo ngjarje, në një seancë plenare të jashtëzakonshme Kuvendi miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Rezoluta dënoi sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa kundër terrorizmit.

Ndërsa më 20 mars, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin. Sipas autoriteteve amerikane, Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë e Iranit përdorte këto katër faqe për të publikuar të dhëna të ndjeshme të vjedhura gjatë sulmeve kibernetike, si dhe për të bërë thirrje për dhunë ndaj gazetarëve, kundërshtarëve të regjimit dhe shtetasve izraelitë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se domenet e sekuestruara - Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to - ishin të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS). Këto platforma janë përdorur për sulme kibernetike, shpërndarje të të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian./ZËRI

Poll

MOS HUMB