MAQEDONIA E VERIUT-Pas tre ditësh “bllokadë” për shkak të protestës së kamionistëve maqedonas, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme ka nisur zhbllokimi i plotë i pikës kufitare të Qafë Thanës dhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
"Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se protesta e nisur që prej datës 26.01.2026, nga shoferët e kamionëve, do të pezullohet sot më datë 29.01.2026 dhe në orën 20.00, në të gjitha pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut, do të fillojë qarkullimi normal i kamionëve.”, ka njoftuar sot Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Bllokada u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.
Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili do të lëshojë viza për transportuesit. Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se Brukseli ka pranuar kërkesat dhe do të sjellë një strategji të re për shoferët profesionistë.
Transportuesit malazezë protestuan gjithashtu sepse Ministria e Financave nuk i ka pranuar kërkesat e tyre për të rritur shumën e rimbursimeve të akcizës për karburantet që kanë kolegët e tyre në rajon, dhe ata gjithashtu po kërkojnë një rimbursim më të shpejtë të TVSH-së në 30 deri në 60 ditë, sepse tani kanë vite që presin, si dhe të zgjasin punën e inspektimeve doganore dhe fitosanitare.