TIRANË-Belinda Balluku, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kundërshton ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit, pasi me vendim GJKKO pasaporta e saj është e bllokuar. Lidhur me masën e pezullimit nga ushtrimi i detyrës, Balluku nuk ka ngritur pretendime duke qenë se Apeli e ka pezulluar deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
Nga ana tjetër SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend. Vetë socialistët, kanë lënë të kuptohet se qëndrimi i tyre për mandatin e Ballukut do të kushtëzohet nga vendimmaarrja e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse SPAK pretendon se ka paraqitur prova shtesë që rëndojnë pozitën e Ballukut në Kuvend./ZËRI