
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Erion Veliajn. Mësohet se kryebashkiaku i Tiranës do të transferohet në paraburgimin e Durrësit. Vendimi i GJKKO u mor dy orë pas seancës, pasi trupa gjykuese u tërhoq për të caktuar masën e sigurisë. Por, pranoi kërkesën e avokatëve të Veliajt dhe bashkëshortës së tij, Ajola Xoxës për t’i ndryshuar kësaj së fundit masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” dy herë në muaj.
Ndërkohë, edhe biznesmeni Elman Abule do të vazhdojë të jetë në “arrest me burg”. Nga ana tjetër për biznesmenët Gentian Sula, Neriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha janë lënë në masën “detyrim me paraqitje”.
Seanca gjyqësore zgjati rreth 7 orë, ku ka pasur përplasje mes kreut të bashkisë dhe prokurorit të çështjes Ols Dado, duke i thënë se e ka personale me të pasi i kërkoi leje ndërtimi./ZËRI